Macron pret Zelenskyn në Paris: Gati t’i ofrojmë garanci sigurie Kievit sapo të arrihet një marrëveshje paqeje

“Evropianët janë të gatshëm t’i ofrojnë garanci sigurie Ukrainës sapo të nënshkruhet një marrëveshje paqeje me Rusinë”, kështu u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron ndërsa priti në Pallatin Elize homologun ukrainas.
Zelenski ndodhet në Paris për të marrë pjesë në një takim sigurie me mbi 30 zyrtarë të lartë evropianë.
“Do të mblidhemi në nivel krerësh shtetesh dhe qeverish për të miratuar punën që është kryer që nga samiti i Uashingtonit në mes të gushtit nga të gjithë udhëheqësit tanë ushtarakë. Mund t’ju them se ne evropianët jemi të gatshëm t’u ofrojmë garanci sigurie Ukrainës dhe popullit të saj në ditën që nënshkruhet një marrëveshje paqeje.”
Ndërsa presidenti ukrainas tha se ende nuk ka parë ndonjë shenjë nga Rusia se dëshiron vërtetë që t’i japë fund luftës mes dy vendeve.
“Jam i bindur se bashkimi ynë dhe ai mes Evropës dhe amerikanëve do të na ndihmojë të rrisim presionin mbi Rusinë për të ecur drejt një zgjidhjeje diplomatike për këtë çështje komplekse, e cila është kaq e rëndësishme si për paqen e qëndrueshme në vendin tonë ashtu edhe në Evropë”, tha zelensky.
Pas konferencës, dy presidentët zhvilluan një tryezë me dyer të mbyllura. Ndërsa ftesën e presidentit rus Putin për një takim me Zelenskin në Moskë, Kievi e cilësoi të papranueshme. “Këto janë propozime serioze dhe presidenti Zelensky është gati për një takim të tillë në çdo kohë. Megjithatë, Putin vazhdon të vonojë gjithçka duke paraqitur propozime qëllimisht të papranueshme:” – u shpreh ministri i jashtëm i Ukrainës Andrij Sybiha.
Ai kujtoi se të paktën shtatë vende kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të pritur një samit paqeje midis Ukrainës e Rusisë, mes tyre Austria, Vatikani, Zvicra, Turqia dhe tri shtete të Gjirit Persik.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




