Malaj: Besimplotë për hapjen e IPARD 3 në shtator, 118 milionë euro të tjera për bujqësinë shqiptare
Në shtator të këtij viti pritet të hapet programi IPARD 3, me një fond prej 118 milionë eurosh të dedikuar për sektorin e bujqësisë. Deklarata u bë nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë dëgjesës me fermerët për Skemën Kombëtare 2026, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe Ministri i Bujqësisë, Andis Salla.
Malaj theksoi edhe rritjen e ndjeshme të buxhetit dhe eksporteve në bujqësi gjatë dekadës së fundit.
“Në vitin 2013 kemi marrë një bujqësi me një buxhet 34 mln euro. E kemi mbyllur 2025 me 162 mln euro, pesëfishi i asaj që morëm. Kemi marrë një bujqësi që i kishte eksportet rreth 120 mln euro dhe sot në terma eksporti është mbi 500 mln euro. Kemi marrë një bujqësi që kishte sipërfaqe serash 700 hektarë, sot janë trefishuar mbi 2100 hektarë. Toka e ujitur ishte rreth 120 mijë hektarë dhe këtë vit do të shkojmë në 3 mijë hektarë nga 360 mijë hektarë që është totali i sipërfaqes së ujitur në territor”, deklaroi ministri.
Ministri prezantoi katër komponentët kryesorë të mbështetjes për fermerët në vitin 2026.
“Qeveria synon të ndërtojë një model që synon të mbështesë drejtpërdrejtë fermerët, i ngritur me 4 komponentë. Është skema e granteve, ku për vitin 2026 kemi planifikuar 20 mln euro. Është skema e subvencioneve direket për fermerët e cila është 31 mln euro për vitin 2026. Kemi të hapur garancinë sovrane që ju mundëson fermerëve kredi të buta me normë interesi 2%. Është kompensimi i TVSH për të gjithë fermerët për çdo produkt që keni filluar të shisni nga data 1 janar 2026 e në vazhdim do të duhet të mblidhni faturat për produktet që çoni te grumbulluesit dhe 2 herë në vit, 1 qershor dhe 30 janar, duhet të çoni faturat te autoritete tatimore dhe do kompensoheni me 10% të lerës së faturave. Jemi besimplotë që në shtator do të hapet edhe IPARD 3 që janë edhe 118 mln euro të tjera për sektorin e bujqësisë”, u shpreh Malaj.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se janë zhvilluar 18 takime me fermerët dhe pritet të përmbyllen gjithsej 23 takime për konsultimin e Skemës Kombëtare. Ai nënvizoi se rreth 52 milionë euro do të jenë grante të drejtpërdrejta për fermerët, ndërsa po rishikohen mënyrat e mbështetjes për sektorë të veçantë si blegtoria dhe bletaria.
“Kemi dëgjuar 18 takime, kemi 23 takime gjithsej. Së bashku të propozojmë ide të reja dhe çfarë duhet të ndryshojmë dhe fusim në skenën tonë kombëtare ku rreth 52 mln euro janë grante të drejtpërdrejta për të gjithë skemën kombëtare. Në 10%-shin e faturës suaj që do depozitoni pranë tatimeve që ne t’ju mbështesim. Të dobishme që ne të rishikojmë mbështetjen dhe mënyrën si do jemi ndaj aplikantëve për të ulur numrin e krerëve për bagëti. Kemi arrë sugjerime ndaj bletarisë dhe kërkesave ndaj certifikatave të pronësisë e tokave me qira. Po rishikojmë, kemi bërë plan me stafin e AZHBR dhe Ministria e Bujqësisë. Të shohim e rishikojmë, për ti përafruar qoftë nga skema e naftës”, tha Ministri i Bujqësisë, Andis Salla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




