Manastirliu: Buxheti 2026 me fokus te “superblloqet” dhe çlirimi i 100,000 m² hapësira publike

Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu, ka vijuar sot turin e dëgjesave publike me banorët e njësive 8 dhe 9, me qëllim prezantimin dhe diskutimin e projektbuxhetit të vitit 2026. Ky proces, sipas saj, shërben jo vetëm për komunikim, por edhe për adresimin konkret të shqetësimeve të qytetarëve.
“Jemi këtu për të biseduar për Buxhetin 2026, por mbi të gjitha për të adresuar shqetësimet tuaja që jo vetëm i kemi në vëmendje por i kemi adresuar dhe i adresojnë vit pas viti në buxhetet tona dhe të flasim konkretisht se si u kemi gjetur zgjidhje,” tha Manastirliu.
“Superblloqet” dhe hapësirat e liruara
Një nga pikat kryesore ku u ndal Manastirliu ishte angazhimi për përmirësimin e cilësisë së jetës në lagje dhe rikthimin e hapësirave publike te komuniteti. Ajo theksoi nisjen e një “operacioni për çlirimin e hapësirave publike” në të gjithë qytetin.
“Kemi nisur një operacion për çlirimin e hapësirave publike, i cili po vijon me intensitet në të gjithë Tiranën, duke krijuar mundësi që tashmë të kemi në dispozicion të projekteve rreth 100 mijë metra katrorë hapësirë publike,” theksoi drejtuesja politike e PS-së.
Kjo hapësirë, që përfshin më shumë se 1000 hapësira të ndryshme, do të shfrytëzohet për kënde lojërash për fëmijët, hapësira çlodhëse për të moshuarit dhe kënde sportive në lagje.
Gjithashtu, në takim u nda projekti i “superblloqeve”, i cili synon një transformim urban të lagjeve, rritjen e sigurisë dhe zgjerimin e hapësirave publike të aksesueshme për të gjithë banorët. Përveç këtyre, Manastirliu vuri theksin te rëndësia e përmirësimit të transportit publik si një prioritet tjetër.
Dëgjesat për projektbuxhetin 2026 do të vijojnë edhe në njësitë e tjera të kryeqytetit, duke mbajtur në fokus prioritetet që lidhen drejtpërdrejt me komunitetin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



