Manastirliu, e ftuara e parë në podkastin “Flasim”, Rama e quan “kryetaren e ardhshme të Tiranës“

Ogerta Manastirliu, kandidatja e Partisë Socialiste (PS) për kryetare të Bashkisë Tiranë, do të jetë e ftuara e parë në sezonin e pestë të podkastit “Flasim”, drejtuar nga Kryeministri Edi Rama. Intervista e plotë do të transmetohet më 5 tetor.
Përmes fragmenteve të shpërndara sot nga vetë Kryeministri, bashkëbisedimi synon të sjellë jo vetëm një rrëfim jete, por edhe të prezantojë profilin politik të kandidates së PS-së në garën për kryeqytetin.
Gjatë intervistës, Manastirliu reflekton mbi origjinën e saj dhe jetën personale.
“Kam lindur në Tiranë, me shumë njerëz përreth. Një kohë të madhe e kam shpenzuar në korridoret e Teatrit të Operas dhe Baletit… E shihja kiminë si përbashkimin e logjikës dhe imagjinatës. Është jo e lehtë të flasësh për veten,” shprehet ajo.
Nga ana e tij, Rama shprehu bindjen e fortë se Manastirliu “do të jetë kryetarja e re e bashkisë së Tiranës,” ndërsa e pyet kandidaten se si e ndjen këtë “barrë mbi supe.”
Në videon prezantuese, Kryeministri përmendi gjithashtu fluksin e jashtëzakonshëm të kërkesave për intervista nga një personazh tjetër, të cilin e përmendi si “Diella”.
Rama siguroi gjithashtu se “vazhdojmë të punojmë pa u lodhur, me durim, me këmbëngulje, me forcë të hekurt ligjore deri në fund,” në kuadër të mandatit të katërt të PS-së.
Podkasti “Flasim” është një format komunikimi i Kryeministrit me personazhe të ndryshme publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




