Manastirliu takim me pedagogët, shpalos projektin për “superblloqet” në Tiranë

Politikë | 1 vit më parë

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një takim me pedagogë nga universitete publike dhe jopublike, në vijim të turit të saj elektoral “PërTiranën2030”. Takimi shërbeu si një platformë për të ndarë vizionin e saj për kryeqytetin dhe për të marrë propozime konkrete nga bota akademike.

Manastirliu theksoi rolin kyç të ekspertizës universitare në qeverisjen lokale, duke premtuar një angazhim të fortë ndaj marrëdhënies me arsimin e lartë.

“Bashkia do të jetë kampione për ‘Paktin për Universitetin’, sepse ka më shumë nevojë për bashkëpunim dhe mbështetje për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, por edhe për përfshirjen e praktikave më të mira në punët e bashkisë,” tha Manastirliu.

Ajo kërkoi drejtpërdrejt kontributin e pedagogëve, duke i konsideruar ata si profesionistë që “kanë dijen, aftësitë dhe mundësitë” për të shërbyer në adresimin e sfidave të qytetit.

Pedagogët ofruan disa ide që adresojnë problemet kyçe të Tiranës, duke përfshirë shfrytëzimin më të mirë të hapësirave urbane, nevojën për një studim të mirëfilltë mbi trafikun, vendosjen e linjave të transportit urban të dedikuara për nxënësit dhe studentët, zgjidhjen e problemit të akomodimit të studentëve.

Në përgjigje të këtyre sfidave, Manastirliu ndau një projekt kyç të programit të saj: zhvillimin e “superblloqeve”.

“Do të punojmë për superblloqet, si modele shumë interesante se si të organizohet një bllok banimi që të bëhet i jetueshëm,” u shpreh kandidatja socialiste. Projekti i saj ka në fokus rikthimin e këmbësorit, ngritjen e këndeve të lojërave, vendosjen e stolave për të moshuarit dhe krijimin e korridoreve të shërbimeve brenda lagjeve.

Ky takim me komunitetin akademik është pjesë e strategjisë së Manastirliut për të ndërtuar një program qeverisës që mbështetet tek ekspertiza dhe nevojat e qytetarëve për ta kthyer Tiranën në një qytet më të jetueshëm deri në vitin 2030.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme