Manchester United, me një këmbë në finale

Futboll Bota | 2 vite më parë

Manchester United është me një këmbë në finalen e Europa League, pasi ka fituar 3-0 në Spanjë kundër Athletic Bilbao. Suksesi u vulos me tre gola që në pjesën e parë përballë baskëve me 10 lojtarë. Djajtë e Kuq shkojnë përballë një finaleje angleze kundër Tottenham Hotspur.

 Manchester United ka hipotekuar finalen e Europa League, pas fitores 3-0 kundër Athletic Bilbao në ndeshjen e parë gjysmëfinale në San Mames, stadiumin ku do të zhvillohet edhe finalja e madhe. Fitorja e anglezëve u vulos që në pjesën e parë, disi befasuese për mënyrën se si rrodhën ngjarjet deri në minutën e 35-të.

Baskët zhvilluan lojës sulmuese dhe krijuan disa raste në portën e Onanës, ndërsa United shënoi në aksionin e parë të rrezikshëm ë minutën e 30-të, me anë të Casemiros. Dy minuta më pas erdhi episodi që ndryshoi totalisht ndeshjen, pas një aksioni të anglezëve nga e djathta, kur Vivian ndalon të mënyrë të parregullt Hojlund, duke i hequr një mundësi të mirë shënimi.

Pas disa minutave në monitor, gjyqtari jep penallti për United dhe karton të kuq për baskët, që mbeten me dhjetë lojtarë, ndërkohë që Bruno Fernandes ekzekuton saktë nga pika e 11 metrave. Në epërsi të dy golave dhe të një lojtari, United bën ligjin në fushë dhe në minutën e 45-të shënon edhe golin e tretë, sërish me Brunon, duke e bërë një malore të vërtetë ndeshjen për baskët.

Në pjesën e dytë, skuadra e Amorim administroi mirë rezultatin, përgjithësisht duke mbajtur Bilbaon larg portës, por edhe duke krijuar disa raste të tjera.

Rezultati nuk ndryshon deri në fund dhe Manchester United shkon drejt finales, ndoshta kundër Tottenham Hotspur, që në ndeshjen e parë fitoi 3-1 kundër Bodo Glimt.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme