Marrëveshja e migracionit-Rama: Protokolli ynë me Italinë qëndron, për aq kohë sa Roma ta dëshirojë

Aktualitet | 6 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me keqkuptimin e krijuar në media mbi marrëveshjen e migracionit me Italinë.

Në reagimin e tij në rrjetin social ‘X’ Rama shkruan se “më lejoni ta ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë”

“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, të cilët po kontaktojnë lidhur me një citim të shtrembëruar të raportuar nga një media pas një interviste me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë: Më lejoni ta ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë”, shkruan kryeministri Edi Rama.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha ka sqaruar gjithashtu deklaratën për marrëveshjen e migracionit.

Në një reagim në “X” , Hoxha shpjegon se gjatë një pyetjeje nga një gazetar në Bruksel mbi mundësinë e rinovimit të protokollit pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare, është përgjigjur se nuk ishte i sigurt, duke shtuar se deri atëherë Shqipëria mund të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata mund të jetë ndryshe.

Sipas tij, deklarata ka qenë thjesht një reflektim spontan dhe jo një vendim apo ndryshim i qëndrimit të qeverisë shqiptare ndaj marrëveshjes.

Po kështu, ai shkruan se kjo deklaratë nuk duhet marrë si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë lidhur me protokollin.

“Një sqarim i nevojshëm: Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare. Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.” Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet. Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin. Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti. Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive”, shkruan Ferit Hoxha në platformën “X”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme