Marsejë, fëmijët rekrutohen në TikTok, qyteti nën pushtetin e bandave të drogës

Europë | 11 muaj më parë

Qyteti i dytë më i madh i Francës ka rënë pre e një “psikoze” kolektive, ndërsa lufta mes bandave të drogës ka kaluar çdo kufi të imagjinatës njerëzore. Viktimat dhe xhelatët janë gjithnjë e më të vegjël, ndërsa metodat e ekzekutimit janë bërë barbare.

Rasti më i fundit që ka shokuar opinionin publik është ai i Adelit, një 15-vjeçar. Trupi i tij u gjet nga një grup fëmijësh që shkonin në shkollë. Ai ishte ekzekutuar me një plumb në kokë dhe më pas trupi i tij ishte djegur me benzinë. E gjithë skena makabre ishte filmuar nga autorët.

Sipas dëshmive nga terreni, kodet e vjetra të nderit mes kriminelëve janë zhdukur. Një anëtar bande i vetëquajtur “I Pavdekshmi”, tregon plagët e plumbave në trup dhe pranon se situata ka dalë jashtë kontrollit.

“Tani është kaos. Nuk ka më rregulla. Shefat përdorin të rinjtë, i paguajnë me kikirikë dhe ata përfundojnë duke vrarë pa asnjë arsye. Është anarki në të gjithë qytetin,”, thotë ai.

Ministria e Drejtësisë e Francës raporton se numri i adoleshentëve të përfshirë në trafikun e drogës është katërfishuar në tetë vitet e fundit.

Rekrutimi në TikTok dhe “ushtarët e vegjël”

Prokurori i qytetit, Nicolas Bessone, ngre alarmin për një fenomen të ri: skllavërimin e fëmijëve përmes borxheve fiktive dhe rekrutimin online. Aplikacioni TikTok është kthyer në një treg pune për bandat. Video me muzikë dhe emoji reklamojnë “vende pune” për roje (250 euro) ose transportues droge (500 euro).

“Kjo nuk është El Dorado. Të rinjtë vijnë duke menduar se do fitojnë para lehtë, por përfundojnë në mjerim ose vdekje. Trafikantët i kthejnë në ushtarë të vegjël, i torturojnë nëse humbasin qoftë edhe 20 euro,”, shpjegon Bessone.

Terrori mbi të pafajshmit

Vrasja e Mehdi Kessaci, një polici praktikant 20-vjeçar pa asnjë lidhje me drogën, ka shërbyer si katalizator i frikës. Vëllai i tij, Amine, një aktivist i njohur kundër bandave, jeton tashmë nën mbrojtje të rreptë policore.

“Dikur banditët kishin një kod moral. Nuk vrisnin ditën, nuk digjnin trupa. Sot këto shkallë janë zhdukur,”, thotë Amine.

Ndërsa policia franceze i është përgjigjur situatës me “bombardime sigurie” dhe bastisje të vazhdueshme në blloqet e banimit, debati politik është ndezur.

E djathta ekstreme kërkon masa drakoniane dhe fajëson emigracionin, ndërsa punonjësit socialë e shohin dhunën si pasojë të varfërisë së rrënjosur dhe braktisjes së shtetit ndër vite.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme