Lamallari: Të zbatohen masa alternative ndaj paraburgimit, si mbikëqyrja elektronike, në përputhje me rekomandimet e KE-së

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë fjalës së tij në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, u ndal tek problematika e numrit të lartë të të paraburgosurve në Shqipëri, duke theksuar se qeveria synon të zbatojë masa alternative në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës.
“Mbikëqyrja elektronike nuk ka ekzistuar në Shqipëri për kaq vite, megjithatë i kam përcjellë porosi Shërbimit të Provës që të prezantojë një projekt të detajuar edhe nga ana financiare, në mënyrë që të bëhet i mundur zbatimi i rekomandimeve të ekspertëve të Këshillit të Europës për uljen e masave të arrestit me burg dhe arrestit në shtëpi,” tha Lamallari.
Ai e cilësoi mbikëqyrjen elektronike si një element të rëndësishëm për garantimin e garancive procedurale dhe uljen e numrit të paraburgimeve. “Një element tjetër shumë i rëndësishëm që ka munguar për shumë kohë dhe ka implikime ligjore është zbatimi i masave alternative, konkretisht mbikëqyrja elektronike. I kam përcjellë porositë Shërbimit të Provës që të prezantojë një projekt të detajuar edhe financiarisht, në mënyrë që të bëjmë të mundur zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve të Europës, të cilat patjetër do të çonin në uljen e masave të arrestit në burg,” u shpreh ministri.
Në fjalën e tij, Lamallari foli edhe për amnistinë penale, duke theksuar se nga kjo nismë përfitojnë rreth 15 mijë familje shqiptare. “Janë 15 mijë familje shqiptare që përfitojnë prej saj dhe për këtë arsye kërkoj mbështetjen e Kuvendit që nisma të futet në hullitë e komisioneve parlamentare dhe të vihet në zbatim sa më parë,” deklaroi ai.
Ministri i Drejtësisë i bëri thirrje deputetëve socialistë që të mbështesin sa më shpejt këtë proces, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë jo vetëm ndëshkim për shkelësit e ligjit, por edhe mbështetje për komunitetet dhe familjet që preken nga vendimet e sistemit penal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




