Shtëpi bari dhe kazino/ Masa disiplinore ndaj ish-drejtuesve të Policisë së Lezhës, përjashtime dhe ulje në gradë

Policia e Shtetit ka marrë masa disiplinore ndaj disa ish-drejtuesve të Policisë së Lezhës, pas konstatimit të shkeljeve gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas informacioneve siguruar nga gazetari Elvis Hila, mësohet se nga radhët e policisë janë përjashtuar ish-zëvendësdrejtori për Rendin në Policinë e Lezhës, Taulant Gjoka, si dhe ish-shefi i Komisariatit, Oltion Gjoni.
Ndërkohë, për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mena, i cili aktualisht mban detyrën e zv/drejtorit për Rendin në Policinë e Kukësit, është vendosur masa disiplinore “ulje në gradë” për një periudhë 5-vjeçare.
Po ashtu, për zv/drejtorin për Krimet, Kujtim Gjoka, është vendosur shtyrje e afatit të gradimit.
Sipas arsyetimit të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, gjatë periudhës kur këta drejtues ishin në krye të Policisë së Lezhës, në qendër të qytetit funksiononte prej kohësh një kazino trekatëshe me mbi 20 makineta dhe sallë pokeri. Gjatë ndërhyrjes së policisë u sekuestrua edhe lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.
Gjithashtu, në rrugën nacionale Lezhë–Milot funksiononte prej muajit gusht të vitit të kaluar një magazinë e përshtatur për kultivimin e kanabisit. Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 1 mijë bimë kanabisi.
Burime nga Drejtoria e Standardeve Profesionale bëjnë me dije se pritet që edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të nisë hetim ndaj ish-drejtuesve të Policisë së Lezhës.
Zbulimi dhe goditja e grupit që kultivonte kanabisin në magazinë u realizua vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës si drejtor i Policisë së Lezhës nga Islor Islami, ndërsa më herët ishte zbuluar edhe kazinoja që operonte në qendër të qytetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



