Masa ligjore në tubime, avokati Arbër Hoxha shpjegon përgjegjësitë penale
Tubimet e fundit të opozitës janë shoqëruar me përplasje mes policisë dhe qytetarëve, duke sjellë arrestime dhe procedime penale.
Avokati Arbër Hoxha për RTSH ka treguar cilat janë veprat penale më të shpeshta që evidentohen.
“Janë disa vepra penale. Së pari, nëse hidhet lëndë shpërthyese e tipit ‘molotov’, është një vepër penale e cila parashikohet në Kodin Penal. Përdorimi i këtyre lëndëve mund të sjellë plagosje të rëndë apo edhe humbje të jetës. Gjithashtu kemi shkatërrim të pronës me zjarr, e cila është një vepër penale që dënohet nga 1 deri në 3 vite kur pasojat nuk janë të rënda. Kur pasojat janë të rënda, dënohet deri në 5 vite burg. Gjithashtu është dhe goditja për shkak të detyrës, që është vepra penale më e përhapur në këto protesta, dhe dënohet nga 1 deri në 5 vite burg.”
Por sipas tij, ka edhe raste kur një veprim penal mund të kryhet nga punonjësit e policisë:
“Nëse një protestues po ushtron dhunë ndaj Policisë së Shtetit, ky protestues merret dhe neutralizohet, dhe dhuna e ushtruar gjatë neutralizimit quhet e ligjshme. Por pas kryerjes së këtij procesi, nëse qytetari goditet nga policia, sigurisht kemi të bëjmë me shpërdorim detyre dhe është një vepër penale që dënohet me gjobë ose deri në 7 vite burg.”
Avokati Hoxha shtoi se deputetët kanë status të veçantë në tubime, por mbajnë përgjegjësi penale kur janë organizatorë të tyre. Ai nënvizon se respektimi i procedurave ligjore dhe raportimi i çdo shkeljeje është mënyra për të garantuar llogaridhënie dhe rend në tubime.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




