Masakra ndaj familjes Jashari, Prokuroria Speciale aktakuzë për krime lufte ndaj 35 personave
Prokuroria Speciale e Kosovës dorëzoi në gjykatë aktakuzën e parë për masakrën ndaj familjes Jashari gjatë luftës në Prekaz në mars të vitin 1998.
Kryeprokurori Blerim Isufaj tha se rëndësia e kësaj aktakuze qëndron edhe në faktin se ajo dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për të trajtuar krimet e luftës dhe për të kërkuar përgjegjësi penale nga Serbia.
Blerim Isufaj, kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës tha se, “Sot Prokuroria Speciale ka marrë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke dorëzuar akuzat në një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe për opinionin publik. Dorëzimi i akuzave është bërë në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore, duke treguar seriozitetin dhe përkushtimin e Prokurorisë Speciale ndaj drejtësisë. .Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz. Tani i takon Gjykatës që ta vlerësojë aktakuzën dhe provave e paraqitura në të. Në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura të provohen para Gjykatës.”
Prokurori Valdet Gashi tha se informacioneve që ka Prokuroria, janë 35 personat e identifikuar për rastin e sulmit ndaj familjes Jashari, duke konfirmuar se ata janë gjallë.
“Provat e siguruara kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra dhe të moshuar… Përveç kësaj, është provuar se gjatë këtij sulmi, forcat e njësive speciale serbe kishin marrë peng nga shtëpitë e tyre banorët e lagjes Jasharaj, në të cilin rast i kishin keqtrajtuar në mënyra të ndryshme”
Më 5, 6 dhe 7 mars 1998 forcat serbe vranë më shumë se 50 persona gjatë sulmit në Prekaz ndaj familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




