Atentati në Shkodër, shpallen në kërkim dy bashkëpunëtorët e autorit. Dyshohet se e pajisën me armët e krimit
Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim dy persona, me dyshimin se kanë ndihmuar autorin e ngjarjes së rëndë me dy viktima dhe dy të plagosur, të regjistruar në qytet një ditë më parë.
Ndërsa autori i dyshuar Ragip Gila u arrestua pas ngjarjes në tentativën për t’u larguar, kontrollet e mëtejshme e kanë çuar grupin hetimor në një banesë që dy shtetasit në kërkim e përdornin për magazinimin e armëve të ndryshme.
Brenda banesës u sekuestruan 1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop, 5 aparate fotografike, si edhe një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës.
Duke përfituar nga rasti që banesa kishte për pronare një person që jeton jashtë vendit, dy shtetasit e moshës 39 dhe 17 vjeç dyshohet se e kishin kthyer atë në bazë për aktivitete kriminale. Ata akuzohen për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Me një nga armët e tyre dyshohet të jetë pajisur edhe Gila ditën e hënë, kur ai hapi zjarr brenda lokalit në të cilin ndodheshin Armando Pali, Liridon K. dhe Erogen Vaso. Dy të parët u qëlluan për vdekje, ndërsa Vaso dhe kamerierja e lokalit morën plagë pa rrezik për jetën.
Vetë Gila u kap në flagrancë teksa përpiqej të largohej më një makinë, duke e mbajtur drejtuesin e saj nën kërcënimin e armës. Automjeti në fjalë, së bashku me motorin me të cilin ai kishte shkuar për të kryer atentatin, janë sekuestruar nga policia. Gilës iu gjetën me vete 2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1,5-litërshe e mbushur me lëndë djegëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




