Masat kundër zjarreve gjatë verës, zjarrfikësit e Korçës në gatishmëri 24 orë

Aktualitet | 5 muaj më parë

Në fokus të punës janë evidentimi i zonave me risk, monitorimi i hapësirave pyjore dhe kullotave, si edhe marrja e masave parandaluese në zonat turistike të Voskopojës dhe Dardhës.

Shefi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi Alfred Kalemas bën me dije se “është punuar ngushtësisht me njësitë administrative, kryepleqtë e fshatrave, Policinë e Shtetit dhe subjektet akomoduese, të cilat në pjesën më të madhe janë të pajisura me certifikata të mbrojtjes nga zjarr”i.

Gjithashtu janë zhvilluar takime ndërgjegjësuese për të rritur vigjilencën gjatë muajve të verës.

Sipas tij, Bashkia e Korçës mbetet ndër bashkitë me performancën më të mirë në nivel kombëtar për menaxhimin e zjarreve në pyje dhe kullota, ndërsa gjatë vitit 2023 nuk u regjistrua asnjë rast zjarri në këto zona.

Një apel i veçantë u drejtohet fermerëve që pas përfundimit të korrjeve të mos djegin kashtën dhe mbetjet bujqësore, pasi flakët mund të dalin lehtësisht jashtë kontrollit dhe të shkaktojnë dëme të mëdha.

Shërbimi zjarrfikës në Korçë operon me gatishmëri 24 orë në ditë dhe disponon 8 automjete, nga të cilat 6 zjarrfikëse me kapacitete që variojnë nga 400 deri në 8 mijë litra ujë. Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast emergjence përmes numrit 128, në mënyrë që ndërhyrja të jetë sa më e shpejtë dhe efektive.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme