Masat ndaj zjarreve, Brataj: Urgjenca Kombëtare në gatishmëri për sezonin veror, 36 qendra shëndetësore verore dhe 18 autoambulanca të reja
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se strukturat e urgjencës janë në koordinim të vazhdueshëm me institucionet e tjera për të garantuar reagim të shpejtë ndaj çdo emergjence gjatë sezonit veror.
Gjatë mbledhjes së Komisionit Teknik Këshillimor në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Brataj theksoi se janë marrë masa për përballimin e fluksit të turistëve dhe situatave emergjente.
“Jemi në koordinim të vazhdueshëm për të qenë në gatishmëri për çdo lloj emergjence. Sistemi paraspitalor është i koordinuar nga Urgjenca Kombëtare dhe kemi marrë të gjitha masat për sezonin veror”, u shpreh Brataj.
Ai bëri të ditur se në të gjithë territorin e vendit janë ngritur 36 qendra shëndetësore verore, ndërsa flotës së Urgjencës i janë shtuar edhe 18 autoambulanca të reja, për të rritur kapacitetet e reagimit.
“Kemi trajnuar personelin dhe kemi marrë masa që në çdo aktivitet apo ngjarje me pjesëmarrje të lartë të kemi të dislokuara qendra shëndetësore të lëvizshme, të gatshme për ndërhyrje të menjëhershme”, tha ai.
Brataj nënvizoi se njësitë e lëvizshme disponojnë të gjithë logjistikën e nevojshme dhe funksionojnë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, shërbimin zjarrfikës dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
“Koordinimi mes të gjitha strukturave na mundëson të reagojmë në kohë reale dhe të garantojmë një përgjigje të shpejtë ndaj çdo situate emergjente në të gjithë vendin”, përfundoi drejtori i Urgjencës Kombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




