Masat për ruajtjen e fondeve të BE-së, eurodeputetët konfirmojnë në Tiranë se mekanizmat e auditimit janë aktivizuar

Aktualitet | 1 vit më parë

Eurodeputetët e Komitetit për Kontrollin Buxhetor kanë dalë në përfundimin, pas misionit në Mal të Zi dhe Shqipëri, se masat mbrojtëse për të mbrojtur fondet e BE-së kanë filluar.

Në konferencën për shtyp mbajtur në Tiranë pas takimeve në të dyja vendet, zëvendëskryetari i delegacionit, eurodeputeti Tomas Zdechovsky vlerësoi ngritjen dhe funksionimin fillestar të mekanizmave të rinj të kontrollit dhe auditimit të vendosur në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor (RGF).

“Plani i rritjes është një mundësi historike për Ballkanin Perëndimor, por suksesi i tij varet nga besueshmëria dhe qeverisja e fortë. Gjatë misioneve në Mal të Zi dhe Shqipëri vlerësuam a janë në vend themelet për menaxhim të shëndoshë financiar, auditim të pavarur dhe një qasje me tolerancë zero ndaj mashtrimit dhe korrupsionit. Mali i Zi mbetet një lider, megjithatë të dyja vendet kanë përparuar në përafrimin e kornizave të tyre ligjore dhe institucionale me standardet e BE-së, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, rikuperimin dhe konfiskimin e aseteve, dhe në luftën kundër pastrimit të parave. Diskutimet me Ministritë e Financave dhe koordinatorët e RGF-së konfirmuan se mekanizmat për kontrollin e brendshëm dhe auditimin janë krijuar dhe funksionojnë,” deklaroi z. Zdechovsky.

Misioni i eurodeputetëve ka përfunduar për ato që janë quajtur “sfida në vijim”.

“Megjithatë, mbeten shqetësime serioze sesi do të përdoren fondet e Planit të Rritjes. Sfidat përfshijnë korrupsionin e rrënjosur, krimin e organizuar, rreziqet e prokurimit me vonesa kronike në infrastrukturë, organet mbikëqyrëse nën presionin politik, ndjekjen e dobët gjyqësore me gjykata të mbingarkuara, margjinalizimin e shoqërisë civile, keqpërdorimin e fondeve në Shqipëri në të kaluarën, dhe mbështetjen e tepërt të Malit të Zi tek turizmi dhe pasuritë e paluajtshme. Rruga nga miratimi i rregullave të BE-së deri në ndërtimin e një kulture llogaridhënieje është e gjatë,” u shpreh eurodeputeti çek.

Ndërkohë, besimi europian është për rezultate të prekshme.

“Jemi të bindur se në dy-tri vitet e ardhshme, Mali i Zi dhe Shqipëria do të tregojnë rezultate të prekshme, duke i kushtuar burime zbatimit, duke siguruar pavarësinë gjyqësore dhe të auditimit, dhe duke mundësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Parlamenti Evropian do të monitorojë nga afër zbatimin, pasi besueshmëria e vetë procesit të zgjerimit të BE-së është në rrezik,” tha z. Zdechovsky.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme