Masat policore në protestat pro-Palestinës, KiE letër Britanisë së Madhe: Të respektohen të drejtat e njeriut

Europë | 1 vit më parë

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, përmes dy letrave ka shprehur shqetësime të thella për gjendjen e të drejtave të njeriut në Mbretërinë e Bashkuar, me fokus në ndërhyrjet e fundit policore ndaj protestave pro-Palestinës dhe kufizimet e të drejtave të personave transgjinorë.

Në letrën e tij të parë, drejtuar Sekretarit të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar, O’Flaherty ngriti alarmin për shtimin e masave policore ndaj protestave pro-Palestinës, veçanërisht pas shpalljes së organizatës “Palestine Action” si organizatë terroriste.

Ai shprehu shqetësim për raportimet mbi arrestimet masive të protestuesve paqësorë, të cilët mbanin pankarta ose banderola që shprehnin solidaritet me organizatën ose që kundërshtonin vendimin e qeverisë për ta cilësuar atë si terroriste.

Komisioneri pranoi se sipas Aktit të Terrorizmit të vitit 2000, mbështetja për grupet e shpallura të ndaluara është vepër penale, por i bëri thirrje qeverisë britanike të sigurojë që zbatimi i këtij ligji të mos pengojë apo kufizojë të drejtat themelore të njeriut, si liria e shprehjes dhe e tubimit.

O’Flaherty i nxiti autoritetet britanike të sigurojnë që çdo arrestim apo dënim i bazuar në Aktin për policinë, krimin, dënimet dhe Gjykatat e vitit 2022 dhe Aktin për Rendin Publik të vitit 2023 të jetë subjekt i rishikimit.

Sipas tij, këto ligje u mundësojnë autoriteteve të vendosin kufizime të tepruara mbi lirinë e tubimit dhe të shprehjes.

Ai kritikoi propozimet për ndalimin e “fshehjes së identitetit” gjatë protestave dhe kufizimet për tubimet pranë vendeve të adhurimit, duke i cilësuar ato si masa që mund të cenojnë të drejtat e qytetarëve.

Në një letër të dytë, drejtuar kryetarit të Komitetit për Gratë dhe Barazinë në Dhomën e Komuneve dhe kryetarit të Komitetit të Përbashkët për të Drejtat e Njeriut, O’Flaherty paralajmëroi për gjendjen e vështirë të të drejtave të personave transgjinorë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në prill, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi që gratë transgjinore nuk njihen ligjërisht si gra sipas Aktit për Barazi të vitit 2010. Komisioneri vuri në dukje se ky vendim nuk mori parasysh çështjet e të drejtave të njeriut dhe detyrimet e Mbretërisë së Bashkuar sipas ligjit ndërkombëtar.

O’Flaherty deklaroi se Gjykata e Lartë duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të mbrojtur personat transgjinorë, duke përfshirë përditësimin e një kodi praktike për shërbimet, funksionet publike dhe shoqatat, i cili aktualisht pret miratimin e parlamentit.

Ai u rikujtoi zyrtarëve britanikë detyrimin për të vepruar në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila kërkon respektimin e dinjitetit njerëzor, lirisë dhe jetës private.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme