Mazniku në “Diplo 2025”: Shqipëria ka potencial të madh eksporti – çelësi i promovimit është diplomacia

Politikë | 1 vit më parë

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, në fjalën e tij gjatë Konferencës së Ambasadorëve “Diplo 2025”, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes diplomacisë dhe sektorit privat për të promovuar sa më shumë prodhimin vendas dhe potencialet e Shqipërisë.

Sipas ministrit, është një mundësi për të promovuar Shqipërinë me të gjithë ambasadorët tanë në të gjithë botën, pasi , sipas tij, është një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar mënyrat e reja se si mund të ecë përpara vendi.

Ai theksoi se fokusi duhet të jetë tek eksporti, duke nënvizuar se çdo koncept zhvillimi duhet të lidhet me aftësinë e vendit për të eksportuar.

“Edhe turizmi, pavarësisht se ndodh në Shqipëri, është produkt eksporti. Nga këndvështrimi i strukturës ekonomike quhet një produkt që ti eksporton, pavarësisht se transaksioni ndodh në Shqipëri, por është eksport,” tha Mazniku.

Ministri solli shembuj konkretë për të ilustruar potencialin e Shqipërisë përtej zonave tradicionale si Tirana dhe bregdeti.

“Mund të përmendim një zonë nga qarku i Elbasanit, sikurse është Tregan, një fshat i vogël me 6,500 shtretër, të cilët dy herë në vit, nga tre muaj kur është sezoni i llixhave, janë 100% të mbushur. Së bashku bëjnë 700 mijë netë fjetje në total dhe është e krahasueshme me volumin në një nga zonat tona bregdetare, dhe më shumë se gjysma e tyre nuk janë nga Shqipëria,” tha ai.

Sipas Maznikut, ky është një koncept alternativ turizmi që zgjerohet dhe shpërndahet, duke shtuar diapazonin turistik dhe duke demokratizuar të ardhurat që vijnë nga turistët.

“Paketa e Maleve është një nga elementët që duhet të ketë një mënyrë tepër të rëndësishme promovimi, pasi jep mundësinë që ne të fusim malet e Shqipërisë – zona që zënë më shumë se 70–80% të sipërfaqes – në një funksion turistik dhe më aktiv, duke kapërcyer edhe problemin e pronësisë që ka qenë një problem thelbësor,” tha ai.

Mazniku shtoi se kjo paketë duhet të ndërveprojë si me diasporën shqiptare, ashtu edhe me investitorë të mundshëm për të zgjeruar zonën e turizmit.

Një tjetër element që, sipas tij, nuk merr vëmendjen e duhur në diskutimet ndërkombëtare është bujqësia dhe produkti bujqësor.

 “Në fshatin Jogodinë të Elbasanit, në pesë vitet e fundit është gjashtëfishuar sipërfaqja me sera. Prodhimi i tyre shkon 100% për eksport. Banorët e fshatit ia kanë dalë që të mësojnë se tregu europian ka nevojë për atë që quhet ‘lakër Brukseli’ dhe ta prodhojnë siç duhet, ta paketojnë siç duhet dhe të gjejnë treg europian. Potenciali i tyre është shumë i madh dhe deri tani ata kanë shfrytëzuar vetëm 10% të kapacitetit të mundësive,” tha Mazniku.

Ai theksoi se Shqipëria ka potencial të madh për prodhim, por ka nevojë për promovim.

“Prodhuesi ynë, jo në pak raste, nuk e ka mundësinë dhe nuk e di pse nuk funksionon një gjë, sepse nuk është fusha e tyre e ekspertizës. Për ta bërë këtë promovim më të mirë të produkteve të eksportit që prodhojmë, ka nevojë për të punuar të gjitha strukturat tona dhe tentakulat që kemi në gjithë botën,” tha ai.

Si element të tretë, Mazniku përmendi nevojën për forcimin e bashkëpunimit mes qyteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare si një mundësi direkte për promovimin e Shqipërisë.

“Në gjykimin tim, bashkëpunimi qytet më qytet shpesh herë sjell më shumë avantazhe dhe diplomaci sesa ndonjëherë diskutimi shtet-shtet. Diskutimi ndërmjet shteteve është politik, është në nivele të mëdha, ndërkohë komunikimi mes qyteteve shpesh herë është më produktiv,” tha Mazniku.

Në përfundim ai theksoi se këto lloj bashkëpunimesh, kur bëhen mirë dhe nuk mbeten në letër si marrëveshje protokollare, kthehen në një potencial të jashtëzakonshëm për të mësuar dhe ndërvepruar në një tjetër nivel.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme