Mbahen në Turqi bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, Umerov: Të zhbllokojmë procesin e shkëmbimit të të burgosurve  

Botë | 12 muaj më parë

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov ka mbërritur në Stamboll të Turqisë për bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë.

Umerov drejton delegacionin ukrainas teksa bisedimet zhvillohen ditën e sotme.

Në një deklaratë për Telegram, Umerov deklaroi rifillimin e shkëmbimeve të të burgosurve të luftës me Rusinë si qëllim të vizitës së tij.

“Këto ditë do të jem në Turqi për të zhbllokuar procesin e shkëmbimit. Ka një marrëveshje, dhe ne duhet ta zbatojmë atë”, tha ai.

Sipas Umerov, takimet janë planifikuar në Turqi për të diskutuar rifillimin e shkëmbimeve të të burgosurve të luftës.

Ai nuk specifikoi se kush saktësisht do të marrë pjesë në takime.

Gjatë raundit të fundit të bisedimeve të drejtpërdrejta në Stamboll, i cili u mbajt më 23 korrik, Rusia dhe Ukraina ranë dakord për shkëmbimin e të burgosurve të luftës dhe civilëve.

Nga ana e saj, Moska i ka propozuar Kievit të formojë tre grupe që do të punojnë në internet për çështje politike, humanitare dhe ushtarake.

Kremlini tha se Moska nuk ka marrë përgjigje nga Kievi për këtë propozim.

Përveç Turqisë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pjesërisht Arabia Saudite dhe Katari kanë ndërmjetësuar shkëmbime humanitare midis Rusisë dhe Ukrainës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme