Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pa u përmbyllur, pasi nuk është arritur të miratohet raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve.
Pas rinisjes së punimeve të Kuvendit prej pauzës disa minutëshe, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka njoftuar ndërprerjen e seancës duke theksuar se nuk ka shumicë të mjaftueshme për vazhdimin e procedurave.
Ai theksoi se seanca ndërpritet për shkak të rrethanave të krijuara dhe mungesës së konsensusit rreth raportit të paraqitur nga komisioni.
“Për shkak të rrethanave të krijuara dhe meqë raporti i Komisionit nuk mori votat e nevojshme, jemi të detyruar të ndërpresim seancën dhe përmes një letre do t’i drejtohemi Presidentes për të sqaruar hapat e mëtejmë,” deklaroi Dehari para deputetëve.
Sipas rezultatit të votimit, 52 deputetë votuan pro raportit, 46 ishin kundër, ndërsa 11 abstenuan – numra të pamjaftueshëm për miratimin e dokumentit.
Në hapje të punimeve, kryesuesi Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e partive parlamentare që të propozonin emrat për Komisionin e përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve.
Rendi i ditës për seancën e sotme përfshinte: formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të tij.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




