Mbarështimi i bagëtive, kujdes me futjen e bagëtive të reja në tufa

Bujqësi | 2 muaj më parë

Gjatë periudhës së verës, kur lëvizja dhe tregtimi i bagëtive është më i shtuar, specialistët u bëjnë apel fermerëve të tregojnë kujdes të veçantë me kafshët e reja që futen në tufat ekzistuese.

Çdo kafshë e blerë duhet të mbahet e veçuar për një periudhë karantine rreth një muaj, në mënyrë që të monitorohet gjendja e saj shëndetësore dhe të shmanget rreziku i përhapjes së sëmundjeve te kafshët e tjera.

Specialistët këshillojnë gjithashtu që fermerët të mos blejnë kafshë pa informacion mbi gjendjen e tyre shëndetësore dhe të kontaktojnë shërbimin veterinar për çdo rast të dyshimtë.

“Në qoftë se në një fermë blektorale do të futen rishtas kafshë, detyrimisht duhet që ato kafshë të jenë të izoluara paraprakisht për një periudhë rreth një mujore, në atë që quhet karantinë. Gjatë kësaj periudhe një mujore, çdo lloj sëmundshmërie që ato kafshë mund të mbartin — sëmundje infektive flasim në këtë rast — është e gatshme të shfaqet klinikisht. Prandaj duhet të kryhen analizat dhe depistimet e nevojshme, si nga ana veterinare, ashtu edhe nga ana laboratorike. Pastaj, në qoftë se kafshët rezultojnë të pastra nga këto problematika klinike dhe të shoqëruara me çertifikatën veterinare të vendit të origjinës, atëherë mund të futen në fermë. Pa vendin e origjinës është e ndaluar që një kafshë të futet rishtas për herë të parë. Vetëm pas kësaj procedure, kafsha mund të bashkohet me tufën tjetër. Po flasim për të gjitha llojet e kafshëve që mbarohen në vendin tonë.” – u shpreh për RTSH Lazart Suraj, përgjegjës i sektorit të punës racore, QTTB Korçë.

Kujdesi është i rëndësishëm jo vetëm për shëndetin e kafshëve, por edhe për shëndetin publik, pasi disa sëmundje që prekin bagëtitë mund të transmetohen edhe te njerëzit.

Ndër sëmundjet që kërkojnë vëmendje janë antraksi (sëmundja e plasjes), bruceloza, enterotoksemia, paratifoja, klamidioza, listerioza dhe leptospiroza.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme