Mbështetje për programet prioritare, Universiteti i Korçës përfiton 15 kuota financimi

Arsim | 2 muaj më parë

Rritet numri i kuotave të financimit për programet prioritare në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë. Për vitin e ri akademik janë miratuar 15 kuota, nga 6 që ishin një vit më parë, duke zgjeruar mundësinë për studentët që zgjedhin programe të konsideruara prioritare.

Mbështetja financiare, e barabartë me pagën minimale, do të ofrohet për studentët e programeve Biologji-Kimi, Matematikë-Fizikë dhe Inxhinieri Agronomike, me nga 5 kuota për secilin program.

“Ka disa vite që qeveria shqiptare përcakton disa kuota për degët preferenciale. Këtë vit kuotat janë rritur. Në qoftë se vit kishim 6 kuota, këtë vit kemi 15 kuota dhe janë të shpërndara sipas degëve. 5 për degën matematikë fizike, 5 për degën biologjikë kimikë dhe 5 në inxhinieri agronomike. Është një vlerësim i veçantë që po bëhet në disa degë të caktuara ku nuk ka patur prurjet që dëshiron sidomos në shkencat natyrore po ashtu dhe bujqësia që është prioritet i qeverisë”, u shpreh rektori Lorenc Ekonomi.

Rritja e kuotave synon të nxisë interesin e të rinjve për këto programe dhe të mbështesë formimin e profesionistëve në fusha që konsiderohen të rëndësishme për tregun e punës.

Studentët që përfitojnë nga skema do të kenë mundësinë të ndjekin studimet universitare duke marrë edhe mbështetje financiare të barabartë me pagën minimale, përgjatë ciklit të tyre të studimit.

Gazetare: E. Fili     

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme