Mbifaturimet për shpenzimin e energjisë – Si duhet të veprojnë qytetarët, shpjegon drejtori i FSHU Gjirokastër
Në qarkun e Gjirokastrës, gjatë këtij viti është vënë re një rënie e rasteve të mbifaturimeve krahasuar me një vit më parë. Këtë e bën të ditur Drejtori i Furnizimit të Shërbimit Universal në Gjirokastër, Aurel Meci.
Sipas tij, OSHEE ka marrë të gjitha masat për abonentët që kanë rezultuar me mbifaturime, duke bërë zbritjen përkatëse në faturat e tyre.
“Mbifaturimet janë në rënie në fakt, dhe ka më pak ankesa. Në përgjithësi kompania po i merr të gjitha masat që për çdo ankesë të përgjigjet në kohë reale,” tha Meci.
Në varësi të natyrës së ankesës së abonentëve, nevojiten nga dy javë deri në 25 ditë për t’u dhënë zgjidhje rasteve të mbifaturimit.
“Një abonent paraqitet dhe brenda 2 deri në 25 ditë, nëse të gjitha hallkat e OSHEE ecin në mënyrë të koordinuar, i jepet një zgjidhje. Ka raste kur ndonjë ankesë mund të jetë më e ndërlikuar,” sqaroi më tej drejtori i Furnizimit të Shërbimit Universal.
Drejtoria e OSHEE në Gjirokastër thekson se po vijon kontrollin periodik të matësave dhe ndërgjegjësimin e abonentëve për raportimin e çdo parregullsie, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe transparencës me qytetarët.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




