Mbreti i Jordanisë: Asnjë vend nuk do të dëshirojë të imponojë paqen në Gaza

Botë | 1 vit më parë

Mbreti Abdullah II i Jordanisë deklaroi se asnjë vend ndërkombëtar nuk do të dëshirojë të dërgojë trupa për të “imponuar paqen” në Gaza, nëse kjo kërkohet në kuadër të planit të armëpushimit të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump.

Në një intervistë për BBC, monarku jordanez tha se vendet që do të përfshihen në misionin pas luftës duhet të kenë një mandat të qartë për ruajtjen e paqes, e jo për zbatimin e saj me forcë.

“Cili është mandati i forcave të sigurisë brenda Gazës? Dhe shpresojmë që të jetë paqeruajtëse, sepse nëse është zbatim i paqes, askush nuk do të dojë ta prekë atë,” tha Mbreti Abdullah II.

Sipas planit të paqes me 20 pika të paraqitur nga Presidenti Trump, shtetet arabe dhe partnerët ndërkombëtarë do të duhej të angazhonin forca stabilizimi për të trajnuar dhe mbështetur forcat palestineze të policisë, në konsultim me Jordaninë dhe Egjiptin. Plani parashikon gjithashtu çarmatosjen e Hamasit dhe heqjen dorë të tij nga kontrolli politik i Gazës.

Mbreti theksoi se Jordania dhe Egjipti janë të gatshme të ndihmojnë në stërvitjen e forcave palestineze të sigurisë, por jo të përfshihen në patrullime apo operacione brenda territorit.

“Nëse ne po vrapojmë nëpër Gaza me armë në duar, kjo nuk është një situatë në të cilën asnjë vend do të donte të përfshihej”, u shpreh ai.

Ai konfirmoi gjithashtu se Jordania nuk do të dërgojë forca në Gaza, duke e cilësuar vendin e tij “shumë afër politikisht” me situatën, për shkak se më shumë se gjysma e popullsisë jordaneze është me prejardhje palestineze. Jordania ka strehuar mbi 2.3 milionë refugjatë palestinezë ndër vite — numri më i madh në rajon.

I pyetur nëse beson se Hamasi do të heqë dorë nga roli i tij politik, mbreti tha: “Nuk i njoh, por ata që punojnë shumë afër tyre – Katari dhe Egjipti – ndihen shumë optimistë se do ta zbatojnë këtë premtim.”

Mbreti Abdullah paralajmëroi se zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez mbetet thelbësore për stabilitetin rajonal.

“Nëse nuk gjejmë një të ardhme për izraelitët dhe palestinezët, dhe një marrëdhënie të qëndrueshme midis botës arabe dhe Izraelit, ne jemi të dënuar të dështojmë”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme