Mbrojtja e shëndetit publik – Kontrolle në burimet natyrore, uji brenda normave të lejuara
Uji i burimeve natyrore në Korçë është brenda normave të lejuara për konsumim. Kjo bëhet e ditur pas monitorimeve të bëra nga shërbimi i Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor pranë NJVKSH Korçë.
Këto monitorime vijnë në kuadër të masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë sezonit veror bën me dije shefi i Epidemiologjisë Alvi Naum, duke qenë se kjo periudhë shënon rritje të lëvizjeve në fshatrat turistikë si shkak i ardhjes së turistëve, por dhe shtim të frekuentimit të hapësirave publike në qytet dhe zonat përreth.
“Gjatë sezonit veror është intensifikuar monitorimi i ujit të pijshëm në 18 burime natyrore të qytetit të Korçës dhe zonave malore përreth. Kontrolli realizohet nëpërmjet analizave bakteriologjike dhe fizikokimike. Vlerësohen edhe parametra të tjerë si era, ngjyra, shija dhe prania e komponentëve të tjerë. Rezultatet deri më tani të cilësisë së ujit janë brenda normave të lejuara, duke ofruar siguri për konsumatorët.“, tha Naum.
Ndërkohë monitorimi i ujit kryhet çdo ditë në 16 pika të përcaktuara në qytet dhe fshat, sipas një kalendari të rregullt periodik, për të garantuar kontroll të vazhdueshëm dhe të plotë të cilësisë së tij. Ky monitorim do të vijojë gjatë gjithë sezonit veror, duke kontribuar në parandalimin e sëmundjeve të transmetueshme përmes ujit dhe garantimin e shëndetit të komunitetit.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




