Mbyllet Muzeu i Luvrit në Paris si pasojë e një grabitjeje

Muzeu i Luvrit në Paris është mbyllur pas një grabitjeje mëngjesin e së dielës (19 tetor).
Ministrja e Kulturës së Francës konfirmoi se kishte pasur një grabitje në Luvrin në Paris, një nga muzetë më të famshëm në botë.
“Nuk ka lëndime për t’u raportuar. Unë jam në vendngjarje së bashku me ekipet e muzeut dhe policinë. Hetimet janë duke u zhvilluar”, shkruan Rachida Dati në rrjetet sociale.
Mediat franceze raportojnë se tre burra të maskuar hynë me forcë në muze dhe përdorën një ashensor mallrash për të hyrë në Galerinë Apollo.
Thuhet se autorët kanë pasur me vete sharra të vogla elektrike dhe janë arratisur me një skuter me nëntë bizhuteri.
Galeria Apollo strehon disa nga koleksionet historike më të vlefshme të Luvrit. Ajo u rihap zyrtarisht për publikun më 15 janar 2020, pas rinovimeve dhe rindërtimeve të kryera nga muzeu.
I vendosur në Paris, Luvri është muzeu më i madh në botë me gati 73,000 metra katrorë hapësirë ekspozimi.
Fillimisht u ndërtua në vitin 1546 si një pallat për familjen mbretërore franceze. Mbreti Francis I, banori i parë i tij, ishte një dashamirës i artit dhe kishte ndërmend që Luvri të shfaqte koleksionin e tij.
Mbretërit pasues i zgjeruan shumë koleksionet e artit të kurorës, me Louis XIV që madje bleu koleksionin e artit të mbretit anglez Charles I, pas ekzekutimit të tij në Luftën Civile Angleze.
Koleksioni mbeti kryesisht privat deri në shpërthimin e Revolucionit Francez në 1789, dhe në 1793 Luvri u hap si një galeri arti publike.
Sot, Luvri shfaq më shumë se 35,000 vepra arti, përfshirë pikturën e famshme Mona Lisa nga Leonardo da Vinçi dhe tërheq rreth 30,000 vizitorë çdo ditë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




