Mbylli mandatin në krye të Kushtetueses, Holta Zaçaj publikon arritjet dhe sfidat e Gjykatës

Në përfundim të mandatit të saj si gjyqtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka bërë publike një pasqyrë të punës dhe arritjeve të institucionit gjatë viteve 2023–2025, duke e konsideruar këtë periudhë një fazë vendimtare për konsolidimin e rolit dhe funksionimit të Gjykatës. Në një njoftim për shtyp, Zaçaj deklaroi se viti 2025 u mbyll me një prej sfidave më të rëndësishme institucionaleqë lidhet me çështjen e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues, një element që sipas saj lidhet drejtpërdrejt me garantimin e pavarësisë së Gjykatës.
Zaçaj shton më tej se ajo ka dhënë një kontribut që shkon përtej interesit personal, pavarësisht interpretimeve të ndryshme mbi këtë çështje.
Sipas bilancit, në periudhën 2023–2025 Gjykata është përballur me një rritje prej 35–40% të ngarkesës së punës, duke shqyrtuar deri në 400 çështje në vit. Rreth 85–90 prej tyre janë mbyllur me vendime përfundimtare, ndërsa institucionit i ka mbetur e pandryshuar praktika e moskrijimit të çështjeve të prapambetura, teksa vendimet në seancë plenare janë dhënë brenda afatit 8-mujor dhe çështjet e tjera brenda 3 muajve.
Duke u ndal te arritjet ndërkombëtare, Zaçaj shprehet se gjatë mandatit të saj, Gjykata Kushtetuese ka shënuar zhvillime të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, përfshi edhe marrjen e kryesimit të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC) për periudhën 2024–2027; organizimin në Tiranë të Mbledhjes së Rrethit të Kryetarëve me pjesëmarrjen e 34 gjykatave evropiane, anëtarësimin me të drejta të plota të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në CECC; si dhe zgjedhjen e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si anëtare e Byrosë së Shoqatave Frankofone (ACCF).
Sa i përket nismave institucionale dhe transparencës, Zaçaj nënvizoi se në tre vitet e mandatit të saj në krye të Kushtetueses, janë ndërmarrë iniciativa që synojnë rritjen e transparencës dhe aksesit të publikut në drejtësi.Në këtë aspekt ajo iu referua hartimit dhe botimit për herë të parë të Udhërrëfyesve të Jurisprudencës, për ankimin kushtetues individual (2024) dhe për të drejtat e njeriut (2025); publikimit të buletinit dymujor të vendimeve në shqip dhe anglisht; si dhe zhvillimit tëi sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve, që pritet të finalizohet së shpejti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




