Më 5 Nëntor, në Ditën Botërore të Gjuhës Rome, Ina Majko: Gjuha jonë është kujtesë, rrënjë dhe histori

Aktualitet | 12 muaj më parë

Në Ditën Botërore të Gjuhës Rome, që shënohet më 5 nëntor, Shqipëria iu bashkua nismës globale për të nderuar një gjuhë që ka mbijetuar për më shumë se një mijë vjet dhe sot flitet në mbi 50 vende të botës.

Në këtë kuadër, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale mesazhin e zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ina Majko, e cila është njëherazi edhe përfaqësuesja e parë e komunitetit rom në qeverinë shqiptare.

Mesazhi i saj u përqendrua në rëndësinë e gjuhës rome si pjesë e identitetit dhe historisë së këtij komuniteti.

“Gjuha jonë nuk është thjesht fjalë. Është kujtesë. Është rrënjë. Është histori,” tha Majko, duke theksuar se mbi 10 mijë qytetarë në Shqipëri flasin romisht — një gjuhë që ka mbajtur gjallë historinë e pashkruar të romëve, të ruajtur në zemrat e njerëzve.

Majko ftoi qytetarët të ndajnë historitë e tyre familjare, kujtimet dhe rrëfimet që lidhen me trashëgiminë rome, duke dërguar materiale në adresën elektronike [email protected] nga 5 nëntori deri më 5 prill.

Majko nënvizoi në mesazhin e saj se “Çdo histori e vogël është pjesë e një historie të madhe,”

“Sot, unë ju ftoj ta nderojmë këtë histori mos ta lëmë më të heshtur. Nga 5 nëntori deri në 5 prill dërgo në [email protected] historinë e familjes suaj. Një kujtim, një rrëfim, një copëz krenarie sepse çdo histori e vogël është pjesë e një historie të madhe”, e mbyll mesazhin e saj Majko.

Kjo ditë, e shpallur nga UNESCO në vitin 2015, synon të promovojë ruajtjen e gjuhës dhe kulturës rome, si dhe të përmirësojë mirëqenien e komunitetit rom.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme