Mediatizimi rrit me 30% vetëvrasjet, Prof. Cerga: Rastet po imitohen, mos i publikoni!

Sociale | 1 vit më parë

Vetëvrasjet e të rinjve, së fundmi në Gjirokastër, e tronditën jo pak opinionin publik.

Në 90 për qind të rasteve, personat që vetëvriten gjenden në kushtet e depresionit të paekzaminuar dhe ky akt shihet si shpëtim. Profesoresha e Psikologjisë në Universitetin “Saint Mary” në Londër, Arlinda Cerga, thotë për RTSH se rreziku më i madh këtij fenomeni po i vjen nga mediatizimi.

“Një nga rreziqet që unë identifikoj si problematike është pasqyrimi në media, i cili shkakton rritje të madhe të vetëvrasjeve imituese tek personat që janë vulnerabël, që janë të ndjeshëm ndaj këtyre problemeve. D.m.th. janë duke vuajtur nga problemet e depresionit dhe identifikohen me personin i cili ka kryer vetëvrasje. Në vendet perëndimore nuk raportohen vetëvrasjet ose vetëm nëse personi është i famshëm dhe ka interes për popullatën, por edhe atëherë mënyra e raportimit është shumë specifike: nuk publikohet ne faqe të parë të gazetës, nuk tregohet mënyra se si është kryer vetëvrasja, nuk jepen foto të personit, nuk tregohen detaje, pasi të gjitha këto bëjnë që të ketë ajo që quhet “efekti Verter” dhe që vjen nga libri [“Vuajtjet e djaloshit Verter” nga Johann Wolfgang Goethe] i Gëtes. Shumë persona në gjithë Europën kanë kryer vetëvrasje pas botimit të librit. Tregohet që pasqyrimi në medie ka rritur vetëvrasjet deri në 30%,” shprehet Prof. Cerga.

Por për akedemikët e psikologjisë ka ende shpresë nëse media rivlerëson veten në pasqyrim.

“Nëse pasqyrimi bëhet në mënyrë të drejtë, nëse flitet për mënyrën se si njerëzit kanë mbijetuar dhe jetojnë shëndetshëm, duke dalë mbi problemet e shëndetit të tyre mendor, kjo e ul numrin e vetëvrasjeve. Prandaj duhet të jemi aleatë me medien,” tregon profesoresha e psikologjisë.

Prof. Cerga thotë se mbi 75 për qind e problemeve të Shëndetit Mendor shfaqen tek të rinjtë deri në moshën 24 vjeç dhe dallimi i shenjave, po edhe i ndryshimeve gjinore, janë të rëndësishme.

“Ajo që mendohet në popullatë është që depresioni është një trishtim i thellë, një qarje, një tërheqje sociale.Të gjitha këto janë të vërteta, megjithatë tek djemtë është mjaft e ndryshme. Djemtë e shprehin me agresivitet, përdorje të substancave ose alkoolit. Të gjitha këto shihen më shumë si sjellje problematike sesa simptoma të ndërgjegjësimit. Një nga shenjat për të cilat flitet pak ose aspak është mpirja. Ti nuk ndihesh i trishtuar, por as i gëzuar. Nuk kanë asnjë ndjenjë, as hidhërim as gëzim dhe ky është problem shumë i madh,” thotë Prof. Cerga.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme