“Meditim ”- Një mbrëmje homazh për Ferdinand Dedën, Orkestra Simfonike e RTSH nderon emrin e madh të muzikës shqiptare
Orkestra Simfonike e RTSH-së solli një mbrëmje të veçantë muzikore në nder të 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit të shquar shqiptar Ferdinand Deda, një nga figurat më përfaqësuese të muzikës së kultivuar shqiptare.
Koncerti, i titulluar “Meditim”, u zhvillua në sallën “Ferdinand Deda” , hapësirë që mban emrin e tij dhe ku krijimtaria e kompozitorit u rikthye simbolikisht, aty ku kujtesa artistike vijon të jetojë përmes tingujve.
Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, Orkestra Simfonike e RTSH-së, me soliste pianisten Merita Rexha Tershana, i ofroi publikut një udhëtim në universin krijues të Ferdinand Dedës, përmes veprave që pasqyruan ndjeshmërinë, finesën dhe identitetin e tij muzikor.
“Çdo gjë që organizohet për Ferdinandin është e bukur. Erdhi shumë bukur dhe shumë ngrohtë. Erdhi në 85-vjetorin e lindjes së tij”, tha Elton Deda.
Mbrëmja koncertore solli një homazh për kontributin e vyer të Ferdinand Dedës në zhvillimin e muzikës simfonike dhe edukimin artistik në Shqipëri, si dhe një vlerësim për trashëgiminë e tij që vijon të frymëzojë breza muzikantësh dhe artdashësish.
Koncerti “Meditim” riafirmoi gjithashtu rolin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së si një institucion që ruan, promovon dhe përcjell vlerat më të mira të kulturës dhe muzikës shqiptare.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




