Medvedev: Moska nuk do të pranojë vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë

“E papranueshme”, e quajti zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, propozimin e fuqive evropiane për vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë, në kuadër të garancive të sigurisë dhe një marrëveshjeje paqeje.
“Për çfarë lloj garancish mund të flasim, nëse forcat ushtarake nga vendet anëtare armiqësore të NATO-s vendosen në territorin e një vendi të tillë?”, tha Medvedev.
Medvedev theksoi se kushtet e Moskës për përfundimin e luftës nuk kanë ndryshuar që nga viti 2024, kur presidenti Vladimir Putin i shpalli ato në një fjalim në Ministrinë e Jashtme ruse
Sipas Medvedev, nëse traktati për kontrollin e armëve bërthamore midis Rusisë dhe SHBA-së, i njohur si New START, skadon pa u zgjatur, bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë seriozisht e shqetësuar.
“Nuk dua të them se kjo automatikisht do të nënkuptojë një katastrofë apo fillimin e një lufte bërthamore, por është diçka që duhet t’i shqetësojë të gjithë”, u shpreh ai.
Ai theksoi se marrëveshjet për kontrollin e armëve bërthamore kanë një rol vendimtar, jo vetëm në kufizimin e numrit të kokave bërthamore, por edhe në sqarimin e qëllimeve dhe ndërtimin e një niveli besimi mes fuqive të mëdha bërthamore.
Po ashtu, Metvedev tha se “bota po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, por Rusia nuk dëshiron të përfshihet në një konflikt global”, duke iu referuar zhvillimeve aktuale gjeopolitike.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




