Megi Fino zgjidhet Kryetare e Këshillit Bashkiak, premton të punojë për qytetarët e Tiranës

Aktualitet | 1 vit më parë

Megi Fino është zgjedhur sot në postin e Kryetares së Këshillit Bashkiak të Tiranës. Propozimi erdhi nga kryetari i Grupit të këshilltarëve socialistë, Eridian Salianji, ndërsa në pozicionin e nënkryetarit u propozua, Endrit Braimllari. Fino do të zëvendësojë në këtë detyrë Romina Kukon.

Në fjalën e saj të parë pas zgjedhjes, Megi Fino falënderoi për mbështetjen dhe besimin e treguar. Ajo theksoi angazhimin e saj për të punuar në të mirë të qytetarëve të Tiranës, pavarësisht përkatësive politike.

“Do të jem e angazhuar me të gjithë pavarësisht krahëve politike për të punuar në të mirë të qytetarëve të Tiranës,” tha Fino.

Një profil me eksperiencë ndërkombëtare dhe juridike

Megi Fino, e lindur në Janinë më 7 Prill 1993, sjell një profil të pasur arsimor dhe profesional. Ajo i përfundoi studimet parauniversitare në programin International Baccalaureate (IB) Diploma në Pekin, në vitin 2012. Më pas, Fino ndoqi studimet për drejtësi në City, University of London në Britaninë e Madhe, ku ka fituar diplomën Master (LLM) në të Drejtë Publike Ndërkombëtare, si dhe diplomën e Masterit Profesional të Praktikës Ligjore (LPC). Në vitin 2015, ajo u diplomua edhe në gjuhën kineze (mandarin) nga SOAS University of London.

Eksperienca

Eksperienca profesionale e Finos filloi si këshilltare ligjore për çështjet e emigracionit në studio ndërkombëtare gjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare, si dhe në qendra për shërbim juridik falas, duke u fokusuar në asistencën sociale.

Që nga qershori i vitit 2021, Megi Fino shërben si zëvendësministre në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Zgjedhja e saj në krye të Këshillit Bashkiak pritet të sjellë një perspektivë të re, të mbështetur në eksperiencën e saj të gjerë ndërkombëtare dhe juridike, si dhe një angazhim të drejtpërdrejtë për nevojat e qytetarëve të Tiranës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme