Memaliaj investon në  infrastrukturë, projekte të reja dhe punime në terren

Aktualitet | 4 muaj më parë

Infrastruktura rrugore mbetet një nga sfidat kryesore të Bashkisë Memaliaj. Për të përmirësuar gjendjen e rrugëve, bashkia ka hartuar një sërë projektesh, të cilat pritet të marrin miratimin për financim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Këto investime synojnë rehabilitimin e akseve më problematike, duke lehtësuar qarkullimin dhe përmirësuar cilësinë e jetës për banorët.

“Për sa i përket infrastrukturës, siç jeni në dijeni, përveç qytetit të Mallakastrës, bashkia përfshin edhe 53 fshatra, të shtrira në një sipërfaqe prej 370 km². Kemi aplikuar pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për financimin e rrugës së Aranitasit, si edhe për rrugën e Krahësit dhe atë të Selckës së Madhe. Presim që një prej këtyre projekteve të përfitojë investim”, tha Albert Malaj Kryetar i Bashkisë Memaliaj

Ndërkohë, puna për përmirësimin e infrastrukturës nuk është ndalur. Me fondet e veta, Bashkia Memaliaj po vijon investimet në disa lagje të qytetit, si edhe në një sërë njësish administrative.

“Infrastruktura mbetet një nga sfidat kryesore, por ne po punojmë çdo ditë, me mjetet dhe mundësitë që kemi, për ta përmirësuar atë. Aktualisht po kryejmë punime në rrugën e Kamçishtit, pasi kemi përfunduar hapjen e trasesë, kanalizimet dhe shkarkimet. Tashmë jemi në fazën e shtrimit të rrugës, me synimin që këto zona të jenë të kalueshme në çdo kohë. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore mbetet një nga prioritetet kryesore të Bashkisë Mallakastër”, tha ai.

Nga ana e  autoriteteve vendore behet me dije se investimet do të vijojnë, me synimin për t’u dhënë zgjidhje problematikave të trashëguara dhe për të garantuar standarde më të mira për banorët e qytetit dhe njësive administrative.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme