Televizioni iranian: Draft-marrëveshja me SHBA përfshin lirimin e 12 miliardë dollarëve në asete të ngrira

Media shtetërore iraniane raportoi se një memorandum mirëkuptimi i propozuar me Shtetet e Bashkuara përfshinte lirimin e 12 miliardë dollarëve në asete të ngrira.
Raporti citoi një draft “jozyrtar”, ndërsa një artikull i ngjashëm i transmetuar më herët këtë javë u hodh poshtë nga Shtëpia e Bardhë si një “fabrikim”.
Presidenti amerikan Donald Trump një ditë më parë kishte dhënë përshkrimin e tij të një marrëveshjeje të mundshme për ndalimin e luftës mes dy vendeve, por elementët kryesorë u kundërshtuan nga burimet iraniane.
Trump kishte theksuar se “nuk do të shkëmbehen para, deri në njoftim të mëtejshëm”, ndërsa raportet iraniane pretenduan se SHBA-të do t’i jepnin Iranit akses të plotë në fondet brenda 60 ditëve.
Sipas mediave iraniane, delegacioni i Teheranit, ku përfshihej edhe kreu i bankës qendrore, vizitoi Katarin për të diskutuar çështjen e fondeve të ngrira si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare.
Raporti shtoi se Irani do të vazhdonte të menaxhonte Ngushticën e Hormuzit, e cila është bllokuar që nga fillimi i konfliktit, duke trazuar tregjet globale.
Nga ana tjetër, Trump kishte deklaruar se Irani do ta rihapte ngushticën “për trafik të pakufizuar detar”, ndërsa SHBA-të e kanë cilësuar të papranueshme që Teherani të mbajë kontrollin mbi këtë kanal jetësor për dërgesat e energjisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




