Merr jetë pasuria arkeologjike e Lezhës, objektet që datojnë që nga periudha e bronzit do të ekspozohen në kala

Kulturë | 1 vit më parë

Rreth 2 mijë objekte arkeologjike, të zbuluara ndër vite në territorin e Lezhës, do të dalin nga bodrumi i bibliotekës dhe do të ekspozohen në një muze arkeologjik të ri, që pritet të ndërtohet në Kalanë e qytetit.

Objektet janë artefakte prej qeramike, guri, mermeri, hekuri dhe bronzi, dhe datojnë nga epoka e bronzit, vijojnë me atë të hekurit dhe arrijnë deri në Mesjetën e vonë.

“Ideja është që të seleksionojmë objektet më me vlerë dhe që janë për ekspozim, ato që kanë shumë pak nevojë për restaurim dhe janë më cilësore” u shpreh Paulin Zefi, përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore, Bashkia Lezhë.

Puna për konservimin e tyre ka nisur prej disa ditësh, ndërsa këto gjetje konsiderohen me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore për trashëgiminë e qytetit dhe të gjithë rajonit.

“Këto kanë një vlerë të jashtëzakonshme dhe përveç qytetit të Durrësit ne rivalizojmë çdo qytetet tjetër në Shqipëri për sa i përket pasurive arkeologjike. Këto nuk janë asgjë krahasuar me objektet arkeologjike që ruhen në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, ka dhe në Muzeun Arkeologjik në Durrës po ashtu dhe pranë Akademisë së Shkencave. Janë shumë objekte të tjera që janë zbuluar në varre me inventar të pasura në akropolin mesjetar të Lezhës”, tha ai.

Prezantimi i këtyre pasurive në një hapësirë të dedikuar siç është kalaja e qytetit, do të shërbejë jo vetëm për ruajtjen e tyre, por edhe për tërheqjen e më shumë vizitorëve dhe studiuesve.

Muzeu i ri do të jetë një ndërthurje mes historisë, identitetit dhe potencialit turistik të Lezhës, duke sjellë në vëmendje rrënjët e lashta të këtij qyteti 2400-vjeçar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme