Merz: Vendimi për përdorimin e aseteve ruse do të merret brenda tre javësh

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka përsëritur mbështetjen e tij për nismën e Komisionit Evropian për “kredinë e dëmshpërblimit” në ndihmë të Ukrainës, duke theksuar se një vendim konkret mund të merret në samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian më 23 tetor në Bruksel.
“Patëm një diskutim shumë intensiv mbi përdorimin e aseteve ruse të ngrira, të cilat duam t’i vëmë në shërbim të ndihmës për Ukrainën,” deklaroi Merz, duke sinjalizuar për herë të dytë mbështetjen e tij për këtë plan.
Ai shtoi se çështja do të shqyrtohet me kujdes dhe se ka gjasa që liderët e BE-së të marrin një vendim përfundimtar gjatë Këshillit Evropian pas tre javësh.
Plani parashikon kanalizimin e rreth 140 miliardë eurove drejt Ukrainës, të financuara nga asetet e ngrira të bankës qendrore ruse. Sipas skemës, Ukraina do ta shlyente kredinë vetëm pasi Rusia të kompensonte dëmet e shkaktuara nga lufta, duke e bërë kështu Moskën përgjegjëse për borxhin.
Megjithatë, disa vende anëtare të BE-së, përfshirë Belgjikën – ku ndodhet pjesa më e madhe e aseteve të ngrira – si dhe Luksemburgun dhe Hungarinë, kanë shprehur skepticizëm ndaj kësaj iniciative.
Diskutimet pritet të intensifikohen në javët në vijim, ndërsa vendet anëtare përballen me dilema ligjore dhe politike mbi përdorimin e aseteve të huaja për financimin e ndihmës në kohë lufte.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




