Mijëra iranianë i japin lamtumirën presidentit të ndjerë, Ebrahim Raisi

Dhjetëra mijëra iranianë u mblodhën të martën për t’i dhënë lamtumirën presidentit Ebrahim Raisi dhe shtatë shoqëruesit e tij, që mbetën të vrarë të dielën nga përplasja e helikopterit me të cilin po fluturonin.
Aksidenti ndodhi në malet e qytetit veriperëndimor të Tabrizit, ku zyrtarët po ktheheshin pas inaugurimit të një dige në kufi me Azerbajxhanin. Forcat e armatosura iraniane do të hetojnë shkaqet e aksidentit.
Përkrah Raisit humbën jetën edhe ministri i Jashtëm, Hosein Amir-Abdollahian (o. Hossein), pjesëtarë të autoriteteve lokale dhe ekipi i sigurisë i presidentit.
Të martën, procesionit me arkëmortët e transportuar me kamion përmes Tabrizit iu bashkuan qytetarët me flamuj dhe portrete të presidentit të ndjerë 63-vjeçar.
Kjo ishte dita e dytë e zisë nga pesë ditë të shpallura nga udhëheqësi suprem i vendit, Ajatollah Ali Kamenei (o. Ayatollah Ali Khamenei).
Kufomat pritet të transportohen gjatë ditës në qytetin qendror të Komit, i cili ka një domethënie të madhe fetare, ndërsa të mërkurën është parashikuar ceremonia më e madhe në Teheran, në praninë edhe të liderit Kamenei dhe personalitete të huaja.
Varrimi i Raisit në qytetin e shenjtë të Mashadit është planifikuar për ditën e enjte.
Lideri suprem Ajatollah Ali Kamenei ka caktuar zëvendëspresidentin Mohamad Mokber (o. Mohammad Mokhber) për të marrë drejtimin e qeverisë deri në zgjedhjet e reja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



