Mijëra qytetarë në Prishtinë protestojnë kundër “padrejtësive” në Hagë, kërkojnë lirimin e krerëve të UÇK-së

Kosovë | 1 vit më parë

Mijëra qytetarë janë mbledhur të enjten në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të protestuar kundër asaj që e quajnë padrejtësi nga Gjykata e Hagës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Protesta, e thirrur nga veteranët, ka mbledhur pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë edhe qytete të Maqedonisë së Veriut.

Protesta synon të shprehë pakënaqësinë ndaj procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Mesazhet dhe pjesëmarrësit

Ish-hetuesja e Hagës Nevenka Tromp në Prishtinë: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”

Në protestën masive të veteranëve në Prishtinë, një nga zërat më të fortë dhe më të rëndësishëm ishte ai i ish-hetueses së Gjykatës së Hagës, Nevenka Tromp. Në fjalën e saj para mijëra pjesëmarrësve, ajo ngriti shqetësimin për vonesat në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.

Tromp vuri në dukje se drejtësia, për të qenë e pranueshme, duhet të ketë legjitimitet dhe të zbatohet në mënyrë të paanshme.

“Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive apo simbolike, rrezikon të perceptohet si padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë më për të zbuluar të vërtetën – por duken si gjykime të inskenuara,” tha ajo.

Tromp paralajmëroi për rreziqet që vijnë kur politikanët manipulojnë sistemet e drejtësisë për qëllime politike ose kur institucionet e drejtësisë ndihen të detyruara t’u shërbejnë narrativave politike.

Duke iu drejtuar protestuesve, Tromp kujtoi se udhëheqësit e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë në vitin 2020, “duke besuar se drejtësia do të zbatohej shpejt dhe në mënyrë të drejtë”.

Megjithatë, ajo theksoi se pas pesë vitesh ata ende mbahen në paraburgim, pa një vendim gjyqësor në horizont.

“Besimi i tyre në një drejtësi të shpejtë është thyer nga realiteti i vonesave, dënimeve të ashpra dhe shkallës disproporcionale të shpalljeve fajtor,” përfundoi Tromp.

Ajo shtoi se është ironike që udhëheqësit që po gjykohen tani janë pikërisht ata që mbështetën krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun që kjo do të paraqiste për çdo luftëtar të UÇK-së.

Gucati: Specialja po tenton të ndryshojë narrativën e luftës, por ne nuk e lejojmë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, akuzoi ashpër Gjykatën Speciale se po tenton të ndryshojë dhe deformojë narrativën e luftës së Kosovës. Gjatë fjalës së tij në protestën e mbajtur në Prishtinë, ai theksoi se veteranët nuk do të lejojnë që historia e UÇK-së të ndryshojë.

“Gjykata Speciale po deformon historinë tonë. E vërteta është krejt tjetër,” deklaroi Gucati, duke shtuar se veteranët kanë humbur besimin te ky institucion. Ai e cilësoi procesin gjyqësor si “luftë politike” dhe jo si drejtësi, duke vënë në dukje se po gjykohen “aleatët e NATO-s”, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sipas Gucatit, penalizimi i luftës së UÇK-së është i padrejtë, pasi ajo ka qenë dhe mbetet “një nga luftërat më të pastra në historinë moderne”. Ai shprehu bindjen se asnjë gjykatë nuk mund t’i fshijë gjurmët e gjenocidit serb, duke nënkuptuar se vëmendja e kësaj gjykate është e drejtuar gabimisht.

“Ne e kemi ditur se do të jemi bashkë gjithmonë kur rrezikohet dinjiteti ynë,” tha Gucati, duke falënderuar veteranët për pjesëmarrjen masive në protestë. Sipas tij, angazhimi i kësaj gjykate që nga fillimi i ka shërbyer më shumë Serbisë.

“UÇK-ja nuk u dorëzua para Serbisë, nuk do të dorëzohet as para Speciales”

Në protestën e zhvilluar sot në Prishtinë, një nga fjalimet më emocionuese dhe më të fuqishme ishte ai i Arbër Cacajt, djalit të dëshmorit Nagip Cacaj. Me fjalë që prekën zemrat e mijëra qytetarëve të pranishëm, ai dënoi ashpër atë që e cilësoi si “poshtërsi” e Gjykatës Speciale, duke mbrojtur me forcë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Në shtëpinë time e kam një varr të hapur, varrin e babait. Nuk është veç shtëpia ime, ka mbi 1 mijë e 600 varre të hapura,” tha Cacaj, duke iu referuar viktimave të luftës, varrezat e të cilëve ende nuk janë gjetur. Ai theksoi se shumë fëmijë nuk patën fatin të rriteshin të lirë dhe të shijonin këtë liri, ndërsa “shumë nga ata kriminelë po dëshmojnë kundër çlirimtarëve”.

Me një ton të vendosur, Arbër Cacaj dërgoi një mesazh të qartë ndaj Gjykatës Speciale. “Nëse babai im është kriminel, edhe unë jam kriminel. Urdhëroni ejani e mi lidhni duart.”

Fjalimi i tij kulminoi me një thirrje të fortë, që u mirëprit me duartrokitje të gjata nga turma: “UÇK-ja nuk është dorëzuar para Serbisë dhe nuk do të dorëzohet as para Gjykatës Speciale. Liri për çlirimtarët!”

Profesori Arsim Bajrami, në një intervistë për mediat, theksoi se në Hagë po gjykohet “historia e Kosovës dhe procesi i shtetndërtimit”. Sipas tij, në vend të veteranëve, në protestë do të duhej të ishte shteti i Kosovës.

Ndërkohë, bashkëshortja e Jakup Krasniqit, e cila i ishte bashkuar protestës, u shpreh se “në emër të popullit duhet të ketë gjykim lirues”. Ajo shtoi se është populli që vendos për çlirimtarët dhe jo gjykatat.

Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, gjithashtu ishte pjesë e protestës. Ajo e cilësoi atë si një “mënyrë për të mbrojtur vlerat tona kolektive”. Për të, vlera e UÇK-së nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe shprehu krenarinë e saj për këtë ushtri.

Protestës i janë bashkuar edhe figura të tjera publike, si ish-kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi. Ky i fundit e quajti protestën “gjithëpopullore” dhe theksoi se lufta e UÇK-së ishte “e drejtë, e pastër dhe e kulluar”.

Protestuesit kanë mbërritur në Prishtinë me autobusë nga qytete të ndryshme si Gjilani, Peja, Prizreni, Istogu e Suhareka. Ata kërkojnë lirimin sa më të shpejtë të ish-krerëve të UÇK-së, duke i cilësuar ata si heronj që kanë sakrifikuar për lirinë e shqiptarëve.

Në shesh janë dëgjuar këngë patriotike, duke i dhënë protestës një dimension emocional dhe simbolik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme