Mikrofinanca, kreditë dhe bankat – Flet për RTSH, Deniz Derralla, drejtor i Mbikëqyrjes në BSH

Më shumë se 200 mijë shqiptarë, në 25 vitet e fundit, e kanë pasur të pamundur t’iu drejtohen bankave tregtare dhe janë financuar nga institucione financiare jo banka. A kanë sigurim këta klientë? A janë ata të rrezikuar dhe përse sot aludohet ngjashmëri me firmat piramidale.
“Ajo që unë mund të vërej është se ka një lloj keqkuptimi të kësaj industrie në Shqipëri. Kjo industri, sigurisht që mund të ketë interesa më të larta, pasi risqet janë më të larta dhe fondet janë sigurisht më të shtrenjta në këtë industri, por, në fund fare, nuk mund të krahasohet me asnjë lloj forme me firmat piramidale.
Në rastin e firmave piramidale ishte populli që vendoste depozita në këto firma. Në këtë rast, këto kompani ofrojnë kredi për individët dhe konsumatorët. Dhe në rastin më të keq, të falimentimit të këtyre kompanive, ata që do të humbasin janë thjesht pronarët e tyre. Pra, askush nga konsumatorët, apo klientët e këtyre kompanive nuk mund të ketë humbje, në një rast të keq falimentimi të këtyre kompanive,” thotë drejtori i Mbikëqyrjes në BSH, Deniz Derralla.
Shoqata “Mikrofinanca Shqiptare” thotë se Shqipëria vazhdon të ketë një kërkesë të fortë për produktet e mikrofinancës. A ka problem në këtë sektor?
“A ka praktika, të cilat nuk janë ndjekur në mënyrën e duhur, apo me etikën e duhur? Sigurisht që mund të ketë! Por, ne si Shoqata “Mikrofinanca Shqiptare”, nuk kemi dashur të shprehemi sepse nuk i kemi pjesë të shoqatës sonë këto institucione. Opinionet e shprehura, me pa të drejtë dhe të cilësuara në adresë të “Mikrofinanca Shqiptare, e dëmtojnë këtë të fundit. Dëmtimi tek ne vjen, sepse duhet që të mos flitet në përgjithësi. Pra, një dukuri e një institucioni të caktuar, flitet si një dukuri e mikrofinancës. Na ka dëmtuar, sepse dëmton besimin që ne kemi ndërtuar në vite me klientët tanë dhe ky është shqetësimi ynë më i madh…” u shpreh presidentja e Shoqatës “Mikrofinanca Shqiptare”, Arlinda Muja.
Drejtori i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë sqaron pozicionin e Bankës së Shqipërisë ndaj këtij tregu
“Sigurisht që BSH i ka pasur në vëmendje zhvillimet e këtij sektori. Vazhdimisht ne kemi qenë në inspektime për të garantuar transparencën ndaj individëve. Para dy vjetësh, duke konsideruar interesat e larta, sidomos të kredisë konsumatore, që kjo industri jepte për klientët. Kemi vendosur një “kap”, i cili ka funksionuar mjaft mirë, pasi ka sjellë një ulje prej rreth 230 për qind nga momenti i parë i vendosjes së tij,” tha Deniz Derralla.
Sipas autoriteteve përgjegjëse, tregu i mikrofinancës në Shqipëri, është i institucionalizuar dhe i përfaqësuar nga kompani serioze dhe investitorë të huaj, shumë seriozë dhe me plane afatgjata investimi në Shqipëri.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




