Ministeriali i Korridorit VIII në Tiranë, ministri i Maqedonisë së Veriut: Garanton sigurinë dhe stabilitetin rajonal
Tirana u kthye sot në qendrën e dialogut rajonal, duke mirëpritur Ministerialin e Korridorit VIII.
I pranishëm në takim, Ministri për Punët e Jashtme dhe Tregtinë e Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, vlerësoi rëndësinë e bashkërendimit të vendeve të rajonit për ta çuar përpara projektin.
“Kjo e sotmja ka rëndësi, sepse është një takim që mbështetet drejtpërdrejt nga vendet tona për ta bërë këtë korridor një platformë paqësore politike dhe për të ecur drejt një zbatimi konkret e praktik”, u shpreh ai.
Sipas tij, Korridori VIII përbën një lidhje strategjike mes Adriatikut, Jonit dhe Detit të Zi, duke shërbyer si një urë e rëndësishme për integrimin e Ballkanit në tregun e përbashkët evropian. Ai theksoi se projekti ka një rëndësi të veçantë edhe në kuadër të NATO-s dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Korridori 8 është një lidhje mes Adriatikut, Jonit dhe Detit të Zi dhe është një korridor që mund të përshpejtojë integrimin e Ballkanit në tregun e përbashkët evropian. Ne e njohim rëndësinë që ka për NATO-n dhe në kontekstin e BE-së. Na duhet të ecim përpara edhe më shpejt, dhe sot kjo lidhet më tepër me qëndrueshmërinë për të lëvizur me siguri mallrat dhe njerëzit, si dhe për të ngritur kapacitetet tona”, tha ai.
Ai shtoi se Korridori VIII mund të shndërrohet jo vetëm në një aks të rëndësishëm transporti, por edhe në një bosht energjetik, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve energjetike dhe në ndërtimin e infrastrukturës që mbështet tranzicionin energjetik të qëndrueshëm.
“Këto rezultate duhet t’i ndiejnë vetë vendet dhe vetë qytetarët: distanca më të shkurtra, më të shpejta, dhe zbatimi i standardeve evropiane. Korridori 8 mund të shndërrohet jo vetëm në një aks ndërlidhjeje transporti, por edhe energjetike dhe të rezistencës. Mund të forcojmë lidhjet energjetike dhe të ndërtojmë infrastrukturë që e bën tranzicionin energjetik më të qëndrueshëm”, u shpreh ministri.
Në aspektin e sigurisë, ministri theksoi se korridori ka përmasa strategjike dhe mbrojtëse, pasi ndihmon në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe në uljen e hapësirave për sulme hibride dhe keqinformim.
“Mjedisi i sigurisë e sheh këtë korridor me përmasa strategjike e mbrojtëse, ku ruhet stabiliteti i rajonit dhe ulet hapësira për sulme hibride dhe keqinformim. Ndërlidhja nuk është vetëm beton, por është edhe procedurë: menaxhim i mirë i kufijve dhe lehtësim i tregtisë pa komprometuar sigurinë”, tha ai
Takimi i nivelit të lartë u fokusua në riafirmimin e vlerës strategjike të këtij projekti madhor infrastrukturor dhe gjeopolitik, me synimin për të avancuar bashkëpunimin në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




