Ministrja Koçiu: Shqipëria është një vend i sigurt, ka ulje të numrit të krimeve të rënda

Aktualitet | 12 muaj më parë

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, raportoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes mbi gjendjen e sigurisë publike në vend. Ministrja Koçiu vlerësoi se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në sigurinë e vendit.

“Shqipëria është një vend i sigurt. Janë 12 milionë turistë që kanë zgjedhur të vizitojnë vendin tonë, një rekord investimesh, mijëra qytetarë që hapin biznese, blejnë prona dhe ndërtojnë jetën e tyre këtu. Secili prej tyre ka gjetur sigurinë e garantuar. Një moment thelbësor në këtë transformim ka qenë edhe dalja e Shqipërisë nga të gjitha listat e zeza, ku u ndodhëm vetëm pak vite më parë. Në vitin 2025 kemi vendosur një tjetër gur të palëvizshëm drejt rrugës së sigurisë për qytetarët”, tha Koçiu.

Sipas ministres, “95% e veprave penale të zbuluara janë hetuar dhe autorët janë ndaluar në kohë, ndërsa nuk ka pasur viktima turistësh të huaj”.

Në fjalën e saj, ministrja përmendi edhe ulje të numrit të krimeve të rënda, përfshirë edhe vrasjet me dashje, si dhe reduktim me 17% të aksidenteve rrugore fatale.

Sa i përket pastrimit të parave dhe goditjen e pasurive kriminale, Koçiu tha se, “vetëm nga SPAK gjatë vitit të fundit u sekuestruan apo konfiskuan 65,5 milionë euro asete kriminale. E gjithë kjo pasuri rikthehet në buxhetin e shtetit dhe vihet në shërbim direkt të qytetarit, duke financuar shërbime sociale apo programe të dedikuara për rritjen e sigurisë në komunitet”.

Ministrja bëri me dije gjithashtu masat për pezullimin e përdorimit të monopatinave, të cilat paraqesin rrezik për qytetarët, duke u krijuar kështu bazë ligjore për qarkullimin e këtyre mjeteve motorike në mënyrë të sigurt”, tha ndër të tjera ministrja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme