Ministri Gonxhja në Riad: Shqipëria drejt turizmit cilësor përmes Inteligjencës Artificiale dhe qëndrueshmërisë

Nga 160 vendet pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të UN Tourism që u zhvillua në Riad, Shqipëria ishte ndër 31 folësit e zgjedhur, duke ndarë përvojën e saj mbi rolin e Inteligjencës Artificiale në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe transformimin dixhital të sektorit.
Në fjalën e tij, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bën të ditur se u fokusua mbi punën për përmirësimin e përvojës së vizitorit dhe zgjatjen e sezonit turistik, diversifikimin e ofertës turistike përtej zonave bregdetare duke fuqizuar zonat rurale dhe komunitetet lokale. Për miratimin e Standardeve Ndërkombëtare të Qëndrueshmërisë (GSTC) dhe krijimin e destinacioneve “inteligjente”, të përditësuara nga të dhëna në kohë reale për menaxhimin e fluksit të vizitorëve dhe mbrojtjen e burimeve.
Po ashtu edhe për turizmin si një sektor ndërdisiplinor, ku teknologjia, kreativiteti, aktivitetet dhe trashëgimia kulturore ndërveprojnë.
Një çështje e trajtuar nga ministri ishte për Inteligjencën Artificiale që mbështet kalimin nga “volumi i turizmit” në “turizmin cilësor” duke mundësuar menaxhimin e të dhënave, ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, luftimin e informalitetit, zhvillimin ekonomik, duke gjeneruar rritjen dhe optimizimin e përgjithshëm të industrisë së turizmit.
Po ashtu për “Shqipërinë që tashmë ka ndërtuar një themel të fortë në transformimin dixhital. Qytetarët aksesojnë shërbimet publike përmes platformës e-Albania, e cila standardizon e garanton transparencën në institucionet qeveritare. Kjo qasje digjitale forcohet më tej nga Ministri i Shtetit për Inteligjencën Artificiale – Diella, ministrja e parë në botë e IA, duke integruar të gjithë sektorët strategjikë, përfshirë turizmin.
Po ashtu, ministri foli gjithashtu për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, përmes programeve të trajnimit për profesionistë të pazëvendësueshëm të mikpritjes, artizanët si dhe punonjësit e kulturës; duke siguruar nga ana tjetër teknologjinë si mjet për të rritur cilësinë, efikasitetin dhe inovacionin brenda sektorit, duke digjitalizuar, automatizuar dhe kursyer.
“Falënderova Mbretërinë e Arabisë Saudite për mikpritjen e shkëlqyer, duke riafirmuar mbështetjen tonë për Deklaratën e Riad për të ardhmen e turizmit!
Shpreha mirënjohje për Sekretarin e Përgjithshëm, Zurab Pololikashvili për kontributin dhe udhëheqjen e tij të çmuar, si dhe urova Sekretaren e Përgjithshme të zgjedhur, Sheikha Al Nowais, në misionin e saj të ri!”, deklaron ministri.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




