Ministri Gonxhja në Shkodër, takim për punën përgatitore për sezonin e ri veror

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi në Shkodër një takim pune për përgatitjet e sezonit të ri veror, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe stafin teknik të portofolit të turizmit në MTKS.
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht potenciali turistik i qytetit, me fokus të veçantë në menaxhimin e plazheve dhe të vijës bregdetare. Aktualisht, Shkodra administron një sipërfaqe prej 215 946 m² plazh, nga të cilat rreth 165 742 m² janë të lira dhe krijojnë një mundësi reale për zbatimin e një projekti pilot me fokus interesin publik dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.
Në diskutime u theksua nevoja për vendosjen e rregullave të qarta për përdorimin e parcelave, respektimin e standardeve për distancën mes çadrave dhe shezlongëve, si dhe monitorimin dhe pastrimin e vazhdueshëm të plazheve. U parashikuan masa ndëshkuese deri në prishje kontrate për shkelësit dhe kontroll i çmimeve abuzive, në përputhje me shërbimet e ofruara.
Po ashtu, u trajtuan kërkesat për zhvillimin e kinemave verore, aktiviteteve sportive dhe inovative, certifikimin e rojeve bregdetare dhe forcimin e Policisë së Bregdetit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si prioritete për garantimin e sigurisë dhe rregullit.
Ministri Gonxhja nënvizoi se synimi është që ky model menaxhimi të shtrihet në të gjitha bashkitë që administrojnë plazhe, duke garantuar zbatimin e plotë dhe të njëtrajtshëm të detyrimeve ligjore, hapësira më të aksesueshme për publikun, më shumë rregull e transparencë, si dhe standarde më të larta sigurie dhe cilësie për qytetarët dhe vizitorët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




