Ministri Gonxhja prezanton me Shlomo Mintz projektin ‘Violinat e Shpresës’: Koncert me instrumente muzikore nga kampet e përqendrimit

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti sot në një takim zyrtar maestro Shlomo Mintz, njërin ndër violinistët dhe dirigjentët më të shquar të muzikës klasike botërore.
Vizita e mjeshtrit vjen në kuadër të bashkëpunimeve kulturore që synojnë ngritjen e standardeve artistike dhe afrimin e publikut shqiptar me traditën më të mirë të muzikës ndërkombëtare.
Gjatë takimit, ministri Gonxhja njoftoi se vitin e ardhshëm Shqipëria do të mirëpresë një organizim madhështor, “Violinat e Shpresës”, një projekt me ndikim të thellë historik dhe emocional.
“Me maestro Shlomo Mintz, një ndër figurat më të shquara të muzikës klasike botërore, violinist, dirigjent dhe pedagog me një karrierë që nisi që në fëmijëri, kur në moshën 11-vjeçare debutoi me Orkestrën Filarmonike të Izraelit dhe vetëm dy vite më vonë interpretoi Koncertin e Paganinit. I formuar nga pedagogë të mëdhenj si Ilona Fehér dhe Dorothy DeLay në Juilliard, maestro Mintz ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme duke interpretuar me orkestrat dhe dirigjentët më prestigjiozë të botës, si dhe duke lënë gjurmë të rëndësishme në fushën e drejtimit orkestral dhe edukimit muzikor.
Diskutuam mbi mundësitë për të sjellë vitin tjetër një organizim madhështor, “Violinat e Shpresës”, me instrumenta muzikore artefakte nga kampet e përqendrimit gjatë Holokaustit, ekspozimin dhe daljen në skenë të tyre, mes koncertesh e aktivitetesh muzikore por dhe edukative. Violinat e Shpresës kanë vizituar, ndër të tjera, qytetet e mëposhtme:
Paris, Francë; Jerusalem, Izrael; Sion, Zvicër; Madrid, Spanjë; Charlotte, SHBA; Monte-Karlo, Monako; Romë, Itali; Cleveland, SHBA; Meksiko Siti, Meksikë; Sarasota, SHBA; Buenos Aires, Argjentinë.
Projekti ofron gjithashtu një ekspozitë me mbi 40 instrumente dhe historitë e tyre individuale. Ajo është shfaqur tashmë në Charlotte, Karolina e Veriut; në Muzeun Maltz të Trashëgimisë Hebraike në Cleveland, Ohio; në Nashville, Tennessee; në hollin e Filarmonisë së Berlinit, Gjermani, dhe në shumë vende të tjera.
Folëm edhe më gjerë mbi ide e nisna të përbashkëta që do të pasurojnë jetën kulturore të vendit dhe do të mbështesin brezat e rinj të muzikantëve, duke përfshirë potencialin për masterkurse dhe programe që reflektojnë përvojën e tij të gjerë si themelues, drejtues artistik dhe anëtar jurish në konkurse ndërkombëtare nga më të njohurat.
E vlerësoj thellë angazhimin e maestro Mintz për të ndarë ekspertizën e tij dhe kontributin e tij afatgjatë në formimin e talenteve të rinj në vendin tonë. Jam i bindur se bashkëpunimet e ardhshme do të kontribuojnë ndjeshëm në promovimin e kulturës sonë në skenën globale”, shkruan Gonxhja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




