Ministri Hoxha pret ambasadorin britanik, në fokus rikuperimi i aseteve kriminale

Aktualitet | 1 vit më parë

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti sot ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Nick Abbot.

Hoxha bëri me dije se biseda u përqendrua në bashkëpunimin e vazhdueshëm mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Hoxha bëri me dije në se së bashku me ambasadorin kanë diskutuar edhe për zbatimin e Planit të Përbashkët të Masave “Dialogu kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda”, me theks të veçantë tek rikuperimi i aseteve të përfituara në mënyrë të paligjshme.

“Funksionalizimi i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve është një nga rekomandimet kyçe të Bashkimit Europian dhe një element thelbësor i axhendës sonë të integrimit. Në këtë drejtim, Ministria e Brendshme ka përfituar mbështetje të vazhdueshme nga partnerët”, theksoi Hoxha.

Ministri vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe, për konsolidimin e këtij mekanizmi institucional si pjesë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit 2024–2030.

Ai theksoi se pjesë e dikutimeve kanë qenë gjithashtu trajnimet e avancuara për ekspertët e ZRA dhe bashkëpunëtorët institucionalë; mbështetja për takime operacionale ndërkombëtare dhe rajonale; ndërtimi i kanaleve të drejtpërdrejta me homologët britanikë; si dhe zhvillimi i databazës analitike të rasteve të ZRA, në përputhje me standardet më të mira britanike.

“Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të çuar përpara këtë proces jetik për forcimin e sundimit të ligjit dhe goditjen e krimit të organizuar, përmes ndjekjes së parave me burim të paligjshëm“, theksoi Hoxha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme