Ministri i Jashtëm i Iranit: Shkeljet e armëpushimit nga SHBA, pengesë për procesin diplomatik

Botë | 7 muaj më parë

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i tha homologut të tij pakistanez, Ishaq Dar, se “shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit nga SHBA-të” janë një pengesë e madhe për vazhdimin e procesit diplomatik.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Araqchi e bëri këtë deklaratë gjatë një bisede telefonike me Dar-in.

Ai theksoi se SHBA-të kanë shfaqur “mosbesim” dhe mungesë serioziteti në diplomaci, duke përmendur kërcënime ndaj porteve, brigjeve dhe anijeve iraniane, kërkesa të paarsyeshme dhe shkelje të armëpushimit (përfshirë bllokadën detare në Ngushticën e Hormuzit dhe kapjen e një anijeje iraniane).

Araqchi shtoi se Irani, duke marrë parasysh të gjitha aspektet, do të vendosë se si të veprojë më tej, por do të mbrojë me të gjitha mjetet interesat kombëtare dhe sigurinë e tij.

Ai falënderoi Pakistanin për përpjekjet e tij ndërmjetësuese për të arritur armëpushimin dhe për lehtësimin e dialogut mes Iranit dhe SHBA-ve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme