Ministri i jashtëm i Qipros në Tiranë, takohet me Spiropalin e Hasanin

Ministri i Punëve të Jashtme të Qipros, Constantinos Kombos është pritur në takime të ndara nga homologu Igli Hasani dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
Në takimin mes Kombos e Hasanit, fokus i bisedës ishte rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Hasani nënvizoi se integrimi evropian është prioritet kombëtar dhe theksoi rolin që do të ketë Presidenca e ardhshme e Qipros në Këshillin e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2026:
“Presim të thellojmë bashkëpunimin me Qipron gjatë Presidencës së saj, një moment kyç për të avancuar integrimin e Shqipërisë.”, tha Hasani.
Takimi u fokusua gjithashtu tek forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fusha si ekonomia, turizmi, energjia dhe lidhjet tregtare, si dhe tek mundësitë për projekte të përbashkëta me interes për të dy vendet.
Po ashtu, Kombos u prit në takim edhe nga kryeparlamentarja Spiropali, ndërsa në takim ka qenë e pranishme Ambasadorja Luela Hajdaraga.
Gjatë takimit, u diskutua mbi zgjerimin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve, intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar si edhe vijimin e mbështetjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe politike dhe bashkëpunimi parlamentar me Qipron po zgjerohen e intensifikohen, në të gjitha nivelet. Presidenca Qipriote e Bashkimit Europian, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, do të jetë një momentum i favorshëm dhe mbështetje e fuqishme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mbështetja e gjerë popullore është frymëzuese, por edhe një detyrim i madh për Kuvendin, lidershipin e tij dhe konsensusin parlamentar në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane.”, nënvizoi Spiropali.
Ministri Kombos vuri në dukje se politikat e zgjerimit dhe integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përbëjnë një prioritet të Presidencës Qipriote dhe Qipro do të vijojë të mbështesë fuqimisht përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Vizita e Ministrit Kombos në Tiranë shënon një hap të ri në bashkëpunimin politik midis Shqipërisë dhe Qipros, në prag të 35-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




