Ministri Jaupaj: Shqipëria drejt lidershipit rajonal për ndryshimet klimatike
Ministri i Mjedisit, Soljan Jaupaj, deklaroi gjatë një konference për mediat se Shqipëria ka siguruar një nga projektet më të mëdha të klimës në Ballkanin Perëndimor, me një financim prej 40 milionë dollarësh në kuadër të programit “AlbaDapt”.
Sipas ministrit, projekti financohet nga Fondi Global i Mjedisit dhe përbën një rast unik jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për vendet e Bashkimit Evropian.
Ai bëri të ditur se konferenca mblodhi përfaqësues të rëndësishëm evropianë dhe botërorë të sektorit të mjedisit dhe u përshëndet edhe nga komisionerja evropiane për mjedisin, Jessica Roswell.
Ministri theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë gjithashtu garanci për financimin e një projekti të ri për pyjet në vlerën e 50 milionë dollarëve, financim grant nga Fondi Global i Klimës.
“Një konferencë që organizohet në bashkëpunim me projektin më të madh të klimës që po zhvillohet në Ballkanin Perëndimor AlbaDapt një program që do të bëhet në Shqipëri, arritëm që te kemi një projekt në ndryshimet klimatike në vlerën e 40 milion dollarëve, asnjë vend tjetër i BE apo vend tjetër qoftë dhe ato të Ballkanin Perëndimor nuk ka një projekt të tillë të financuar nga Fondi Global i Mjedisit. Kjo konferencë 3 ditore solli një përfaqësi evropiane apo dhe botërore të të gjithë aktorëve të mjedisit, u përshëndet nga komisionerja evropiane për mjedisin Jessica Roswell dhe rezultatet e kësaj konference ishin pozitive për vendin tonë. Kjo platformë do të vazhdojë të zhvillohet çdo vit në Shqipëri duke çuar Shqipërinë në një pozicion lider për sa i takon ndryshimeve klimatike në Ballkan Perëndimor por nga ana tjetër ishte një konferencë shumë frytdhënëse sepse bashkë me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria mori garancinë që do të financohet një projekt për çështjet e pyjeve në një projekt për pyjet në vlerën 50 milion dollarëve, është një financim grant dhe nuk është hua dhe do të mbështet nga Fondi Global i Klimës në mënyrë që të sistemojmë çështjet e pyjeve në Shqipëri. Sa i takon zgjerimit të fidanishteve, ripyllëzimit të zonave që janë të degraduara për shkak të zjarreve por edhe për ngritjen e kapacitetit”, tha ministri .
Jaupaj njoftoi gjithashtu se Ministria e Mjedisit ka prezantuar një projektligj të ri, i cili parashikon krijimin e katër agjencive rajonale të pyjeve, përveç Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, me qëllim forcimin e pranisë në territor dhe mbështetjen e bashkive në hartimin e planeve të menaxhimit.
Sipas tij, do të krijohet edhe Ndërmarrja Shtetërore e Pyjeve, një model i ngjashëm me atë të zbatuar në vende evropiane me fond të madh pyjor, si Austria.
Ministri shtoi se në tetor 2025 përfundoi regjistrimi i të gjithë fondit pyjor të Shqipërisë, i cili përbëhet nga 1.2 milionë hektarë pyje, duke hapur rrugën për një administrim më efikas dhe zgjerimin e kapaciteteve për rikthimin e fidanishteve shtetërore.
‘Kemi prezantuar një projekt ligj të ri ku përveç Agjencisë Kombëtare të pyjeve, ministria ka miratuar 4 agjenci rajonale të pyjeve ku do të kemi një prezencë më të madhe në territor për të ndihmuar bashkitë me planet e mbarështimit por nga ana tjetër edhe krijimin e ndërmarrjes shtetërore të pyjeve. Ndërmarrja shtetërore e pyjeve është një model i cili krijohet kryesisht në shumë vende të Evropës që ka një fond pyjor të madh. Ministria e Mjedisi bashkë me kadastrën në tetor të 2025 ka përfunduar regjistrimin e të gjithë fondit pyjor që përbëhet nga 1.2 milionë hektar pyje që kërkon një prezantim më të mirë që Shqipëria po e zhvillon në formën e modelit Austriak. Do të kemi mundësi që të zgjerojmë kapacitetet tona në rikthimin e fidanishteve shtetërore”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




