Ministri Malaj: Rritje ekonomike 4% deri në 2028, 50 mijë lekë paga minimale nga janari i 2026-ës

Ekonomi | 12 muaj më parë

Ministri i Financave Petrit Malaj gjatë prezantimit të projekt buxhetit për vitin 2026 në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, deklaroi se ekonomia shqiptare pritet të ruajë trajektoren e qëndrueshme të zhvillimit, me një rritje mesatare prej 4% deri në vitin 2028.  

Malaj theksoi se ky pr.buxhet reflekton balancën mes disiplinës fiskale dhe politikave sociale në mbështetje të qytetarëve.

“Ekonomia shqiptare ka siguruar trajektore të qëndrueshme të zhvillimit.  Për vitin 2025, rritja ekonomike do të jetë 3.9% në terma vjetorë. Për periudhën afatmesme 2026-2028 rritja ekonomike parashikohet mesatarisht 4%”, deklaroi Malaj.

Ministri evidentoi si një prej shtyllave kryesore të buxhetit, rritjen e pensioneve. Sipas Malajt, nga janari 2026 parashikohet: 1,800 lekë në muaj shtesë për pensionet urbane të plota; 800 lekë për pensionet urbane të pjesshme; 1,000 lekë për pensionet rurale; 700 lekë për pensionet familjare; 600 lekë për pensionet e invaliditetit në punë.

Kjo ndërhyrje, sipas tij, synon rritjen graduale të nivelit të pensioneve, me objektivin që deri në vitin 2030 të ardhurat mesatare mujore të arrijnë: 40,000 lekë për pensionet urbane të plota, 22,000 lekë për ato urbane të pjesshme, 18,000 lekë për pensionet rurale dhe familjare, dhe 30,000 lekë për pensionet e invaliditetit.

Ministri theksoi se efekti financiar i kësaj mase për vitin 2026 llogaritet në 10.4 miliardë lekë, që do të mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit. Ai shtoi se, në fund të mandatit, efekti kumulativ për periudhën 2026–2030 parashikohet të arrijë në rreth 1.7 miliardë euro.

“Efekti financiar i parashikuar për këtë masë për 2026 është parashikuar rreth 10.4 mld lekë që do mbulohet plotësisht nga buxheti i shtetit. Kjo ndërhyrje e parashikuar financiarisht në buxhetin e shtetit nuk është një masë thjesht sociale, por politikë strukturore e mbështetur mi bazat e konsolidimit ekonomik dhe të ardhurave të qëndrueshme buxhetore.

Përmes saj, ne synojmë ti kthejmë brezit të të moshuarve vlerësimin dhe dinjitetin e merituar, duke forcuar besueshmërinë në sistemin e pensioneve”, theksoi ai.

Ministri deklaroi se një tjetër prioritet i buxhetit është rritja e pagave. Ai sqaroi se nga janari 2026, paga minimale do të rritet me 10,000 lekë, duke arritur në 50,000 lekë. Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat.

Në planin afatmesëm, Malaj bëri me dije se qeveria synon ta çojë pagën minimale në 60,000 lekë në vitin 2028 dhe në 70,000 lekë deri në fund të mandatit.

Gjithashtu, ministri nënvizoi në fjalën e tij, se pr.buxheti parashikon indeksimin periodik të pagave në administratën publike, për ta bërë sistemin e kompensimit më fleksibël dhe të lidhur me ndryshimet e inflacionit. Rritjet do të jenë të diferencuara, me fokus tek punonjësit e shërbimeve mbështetëse dhe kategoritë me të ardhura më të ulëta, për të siguruar shpërndarje më të drejtë të pagave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme