Ministri Nufi: Ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi dhe partneritet më të fortë mes dy vendeve tona

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Nufi zhvilloi një takim me Zëvendësministrin Parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes të Japonisë, z. Yohei Wakabayashi, ku u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet ndërkombëtare dhe rajonale të sigurisë, si dhe mbi mundësitë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Shqipëria e vlerëson Japoninë si një partner të rëndësishëm dhe mirëpret zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes shkëmbimit të ekspertizës, forcimit të kontakteve ndërmjet institucioneve dhe Forcave të Armatosura, si dhe aktiviteteve të përbashkëta.”– u shpreh Ministri Nufi në lidhje me takimin.

Ndër të tjera, Ministri i Mbrojtjes Nufi vuri theksin tek ndërtimi i urave të reja të bashkëpunimit mes dy vendeve tona:

“Nga asistenca humanitare dhe operacionet në mbështetje të paqes, te forcimi i qëndrueshmërisë përballë kërcënimeve të reja të sigurisë, synimi ynë është i qartë: të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi dhe një partneritet gjithnjë e më të fortë mes Shqipërisë dhe Japonisë.” – nënvizoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme